Flasin shokët e Klodian Rashës: Doli për të blerë një paketë cigare, nuk ka pasur kurrë armë në jetën e tij se…
Të tjera dëshmi vijnë në lidhje me vrasjen e Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u qëllua për vdekje nga një efektiv policie në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.
Dy shokë të tij tregojnë në një prononcim për mediat se Klodiani nuk ka qenë i armatosur në momentin që ka ndodhur vrasja. Sipas versionit të tyre 25-vjeçari kishte dalë jashtë orarit të rregullores anti-Covid për të blerë një paketë cigare.
“Ne e kemi pasur 20 vitesh shok Klodianin. Ka qenë një njeri që ka gëzuar respektin e çdo njeriu. Natën që ka ndodhur ngjarja Klodiani ka qenë më shokët e tij deri në orën 11.00 të natës. Aq sa jam unë tani i armatosur ka qenë edhe Klodiani. Nuk ka pasur kurrë armë në jetën e tij se nuk ka pasur probleme me asnjë njeri. Familja e di më mirë që ai as në shtëpi as në lagje, nuk ka pasur armë. Ka qenë njeri që i i respektonte të gjithë, nuk ka qenë njeri që mund të cilësohet me rrezikshmëri. Ai ka dalë jashtë orës, për të dalë për të blerë cigare në një kioskë në Don Bosko. Ka qenë natyrë shumë e qetë”, u shpreh një nga shokët e tij.
Ai se veprimi i policisë ishte i paligjshëm dhe se brenda një kohe të shkurtër janë dhënë 3 njoftime të ndryshme. “Veprimin e policisë e konsideroj të paligjshëm. Brenda një kohë të shkurtër kanë dhënë 3 njoftime të ndryshme, është arrestuar ka bërë aksident dhe më pas ka vdekur. Pastaj pas 4 orësh është gjetur arma, 100 metra larg vendit, kur ai është qëlluar mbrapa shpine, nuk ka sens”, u shpreh ai.
Mandej, shoku i Rashës shtoi se: “Më shumë se kemi humbur shokun, na dhemb fakti që është njollosur figura e tij”. “Nuk ka pasur asnjë problem serioz shëndetësor”, u shpreh shoku i Rashës.