U arrestua një ditë më parë/ Kush është 49-vjeçarja që hiqej si investitore apartamentesh dhe si i mashtronte qytetarët (EMRI)
Policia e Tiranës ka arrestuar 49-vjeçaren Adelina Haxhiraj, nën akuzën e mashtrimit ndaj qytetarëve, duke u hequr si investitore.
Sipas informacioneve të Policisë, Haxhiraj e cila ka qenë e dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, i merrte qytetarëve shuma të konsiderueshme parash duke iu premtuar apartamente me klering apo ndërrim.
Nga ky aktivitet ajo ka përfituar 200 milionë lekë të vjetër nga personat që kanë rënë pre e mashtrimit se do të merrnin apartamente, njësi shërbimi hekur për ndërtim pallatesh apo pajisje me kabina të tensionit të lartë. Policia njoftoi ditën e djeshme se tashmë materialet në ngarkim të saj i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. “Finalizohet pas një punë disa mujore, operacioni i koduar ‘Investitori’.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar nën drejtimin e Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Hiqej si investitore dhe i merrte shuma të konsiderueshme shtetasve të ndryshëm, ndalohet 49- vjeçarja.
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nisur nga kallëzimet e bëra nga disa qytetarë të ndryshëm për një shtetase, e cila hiqej si investitore duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash shtetasve të ndryshëm duke iu premtuar klering/ ndërrim apartamente, njësi shërbimi, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Investitori’, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasja: A.H., 49 vjeçe, e dënuar më parë për veprën penale ‘Mashtrimi’”, thuhet në njoftimin e Policisë.