Ku qëndron vlera e shërbimit të mirë të ONE?
One Telecommunications sjell një standard të ri për tregun shqiptar, i cili ofron shërbim transparent, kompetent dhe realist për abonentët. Rrjeti prej 130 dyqanesh në të gjithë Shqipërinë ruan të njëjtën cilësi shërbimi kudo dhe kjo arrihet falë një pune shumë të madhe nga stafet e ONE. Një prej sektorëve që garanton këtë cilësi shërbimi kudo njëlloj, është edhe sektori i trajnimeve i cili drejtohet nga Aurora Hoxha. Përmes kësaj interviste, Aurora ndan me ne disa teknika të profesionit, dhe çfarë pune bëhet deri tek “tungjatjeta” që ju mirëpret në dyqanet e ONE.
Aurora, na trego pak për përvojën tënde në ONE? Sa vite ke dhe si ka qenë rrugëtimi yt profesional?
Kam filluar rrugëtimin tim në One Telecommunications në vitin 2012, si përfaqësuese shitjesh. I jam bashkuar kompanisë në një moshë shumë të re, dhe më është dhënë mundësia të përvetësoj kulturën e korporatës në të gjitha aspektet. Telekomunikacioni është tepër dinamik, por, kur zgjedh të jesh pjesë e departamentit të shitjes, intensiteti i dinamikës bëhet edhe më sfidues. Dëshira për punën dhe angazhimi i vazhdueshëm më ndihmuan të promovohesha më tej si manaxhere terreni në shitje, dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër, kompania më dha mundësinë që të gjithë eksperiencën time në shitje, ta përcillja tek të tjerët përmes trajnimeve. Aktualisht, jam në krye të sektorit të trajnimeve.
Pra, ti sot trajnon ata që janë siç ke qenë ti në fillim. Sa shpesh ndodhin këto trajnime dhe në çfarë konsistojnë?
One Telecommunications operon nëpërmjet një rrjeti prej 130 dyqanesh në të gjithë Shqipërinë.
Qasja jonë e përbashkët është të ofrojmë një eksperiencë ekselente për klientin. Që klientët tanë ta përjetojnë këtë eksperiencë, sigurohemi që të pajisim të gjithë forcën tonë shitëse me njohuritë mbi produktet dhe shërbimet që ne ofrojmë, por edhe që të shërbejnë klientët sipas vlerave të kompanisë.
Çdo muaj, zhvillojmë sesione trajnimi të dedikuara si për përfaqësuesit e rinj të shitjeve ashtu edhe për ata ekzistues. Duke trajnuar në mënyrë të vazhdueshme forcën shitëse për teknikat e shërbimit dhe shitjes, si dhe njohuritë mbi produktet dhe shërbimet, bëjmë të mundur që ata të jenë kompetentë dhe relevantë me klientët. Trajnimet janë si të dirigjosh një orkestër me shumë vegla muzikore; përfaqësuesit e shitjeve sillen të gjithë në harmoni, sipas orientimeve që ne si trajnues u japim.
Cilat janë prioritet tuaja si One në trajnimet që bëni me stafin e shitjeve?
Prioritet është përmirësimi i shërbimeve dhe ofrimi i produkteve apo paketave sipas nevojave të klientëve. Trajnimet synojnë të orientojnë personat e shitjeve që të kuptojnë çfarë nevoje mund të ketë një klient, që ajo që do i ofrohet, t’ia plotësojë më së miri kërkesën. Qëllimi është që klienti të mbetet i kënaqur dhe si rrjedhojë, të ketë rezultate pozitive në shitje.
Si i organizoni trajnimet në kushtet e pandemisë?
Gjatë periudhës së pandemisë kemi vazhduar në mënyrë aktive sesione trajnimi online për përfaqësuesit e rinj të shitjeve, për ata ekzistues, për manaxherët rajonal dhe për nevojat për trajnim të departamenteve të ndryshme. Trajnimet online kanë sjelle një tjetër kulturë interaktive të mësuari, dhe po ndihmon në përqafimin e metodave të reja të orientuara drejt teknologjisë. Sigurisht, herë pas here kemi zhvilluar edhe sesione trajnimi në salla, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Trajnuesit zhvillojnë vizita të dedikuara në dyqanet One për të suportuar forcën shitëse dhe për t’i trajnuar ata nëpërmjet teknikave të ndryshme të shitjeve.
Cila është puna jote e përditshme?
Trajnimet janë një pozicion kyç për çdo kompani, dhe një urë lidhëse midis departamentit të shitjeve dhe departamenteve të tjera. Kjo e bën ditën time shumë aktive dhe të larmishme. Dita fillon me mbledhje të skeduluara për përditësimin mbi projektet, për risitë e reja në produkte, procese dhe shërbime. Më pas vazhdoj me zhvillimin e materialeve për teknika të reja shitjesh mbi portofolin e produkteve që ofrojmë. Pjesën më të madhe të ditës e zënë sesionet e trajnimeve. Gjithashtu, zhvillojmë vizita nëpër dyqanet One për të monitoruar zbatimin e teknikave të shitjeve, dhe plotësimin me trajnime të mëtejshme, kur është e nevojshme.