Një shok “për kokë” si George Clooney, aktori u dhuroi miqve të tij nga 1 milionë dollarë kesh. Tregon arsyen e vendimit
George Clooney është tërësisht i përkushtuar pas familjes së tij. Ai ka vendosur kryesisht të qëndrojë larg ekranit dhe të qëndrojë me fëmijë dhe bashkëshorten, avokaten ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Amal Clooney.
Por para se të krijonte familjen e tij, aktori i famshëm vendosi të befasojë 14 miq të ngushtë duke u dhuruar nga 1 milionë dollarë.
Në një intervistë për GQ, pasi revista e shpalli “Ikonën e Vitit”, tregoi arsyen e këtij vendimi.
Aktori rrëfeu se ai luajti në filmin “Gravity” së bashku me Sandra Bullock por nuk pritej që të kthehej në hit kur u publikua në vitin 2013 dhe në vend të një page, atij iu dhanë përqindje të filmit.
Megjithatë, thrilleri u prit shumë mirë nga publiku dhe Clooney fitoi disa miliona dollarë.
Në atë periudhë, ai nuk kishte familje dhe s’ishte martuar ende. Kështu që në vend ta kursente, vendosi t’ua dhuronte miqve të tij më të ngushtë.
“Mendova se pa ata, nuk do kisha asgjë,”– tha aktori për miqtë e tij. “Jemi vërtet të afërt dhe mendova se nëse më godet një autobus ata do jenë pjesë e testamentit tim. Pra, pse duhet të pres derisa të goditem nga një autobus?”
Clooney tha se ai mori një fugon të vjetër dhe shkoi në një depo në qendër të Los Angeles. Atje mbushi bagazhin me 14 milionë dollar dhe thirri miqtë në shtëpinë e tij.
“Unë mbajta një hartë në dorë dhe i tregova të gjitha vendet në botë ku duhet të shkoja dhe të gjitha gjërat që kam parë për shkak të tyre. Dhe u dhanë nga 1 milionë dollar,”– tregoi ai.
/Panoramaplus.al