“Do të ishte një arritje e madhe”/ DiCaprio poston foton e lumit Vjosë dhe ndan me ndjekësit lajmin e mirë nga Shqipëria (FOTO)
Aktori me famë botërore Leonardo DiCaprio i ka kushtuar një tjetër mesazh mbrojtjes së lumit Vjosa në Shqipëri. Ai ka publikuar në profilin e tij në “Instagram” një shkrim të gjatë duke i bashkëngjitur një foto të aktivistëve ku në një banderolë të madhe shkruhet: “Vjosa, jo diga”.
Sipas aktorit, lajme të mira vijnë nga Shqipëria për mbrojtjen e Vjosës.
“Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar”- shkruan DiCaprio, ndërsa i bën apel edhe kryeministrit federal të Bosnjë dhe Hercegovinës të ndërmarrin hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë.
“Ndërsa ne presim që Kryeministri Federal dhe qeveria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë e ‘Zemrës Blu’ të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme premtuese që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve.
Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lajmëroi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se territori do të bëhet një park kombëtar. Parku Kombëtar i Lumit të Vjosës do të bëhej më i madhi në Evropë për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie, si ngjala e Evropës në rrezik global dhe flutura e Vjosës e zbuluar së fundmi.
Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër. Në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit që përbëjnë ‘Zemrën Blu’”, shkruan aktori hollivudian në mesazhin e tij.
Lumi Vjosa është pjesë e “Zemrës Blu” të Evropës, ku bëjnë pjesë edhe lumi Radika në Parkun Kombëtar Mavrovë në Maqedoni, dhe lumi Sava në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. Një vit më parë Di Caprio u bë pjesë e nismës që kundërshtonte ndërtimin e hidrocentraleve. Aktori i njohur hollivudian është një prej aktivistëve më të zëshëm në mbrojtje të natyrës dhe biodiversitetit në botë.