Ku dallon covidi nga gripi, mjeku i njohur tregon çfarë nuk duhet neglizhuar
Lakorja e të infektuarve dhe viktimave nga Covid-19 ka shfaqur prirje rritëse në Shqipëri, dhe këto tregues kanë shkaktuar pasiguri dhe frikë në popullatë.
Mjeku imunolog, Genc Sulçebe, në një intervistë me gazetaren Ilva Tare në Euroneës Albania, renditi shenjat, të cilat sipas tij tregojnë se një pacient është i prekur me coronavirus. Ai shtoi se shenja kryesore dalluese tek pacientët e prekur është temperatura e lartë.
“Shenjat e Covid-it janë të qartë, janë të njohur. Nëse një person ka temperaturë dhe dhimbje koke ai është Covid. Temperatura është kryesore. Mund të ketë diarre, këputje, anoreksi, por temperatura mbizotëron. Duhet një testim i plotë që të kapësh asimptomatikët. Gjysmat e rasteve janë pa shenja, dhe për këtë arsye është një infektim kapilar që është vështirë ta kontrollosh”, tha ai.
Ai foli edhe për testimet e shpejta, ndërsa tha se efektshmëria e tyre është në studimet epidemiologjike pasi nuk kanë efektin e testimit molekular.
“Testimet e shpejta janë efikase, janë të lira dhe e kapin virusin me shpejtësi. Kanë një mangësi se ato nuk e kanë ndjeshmërinë e testimit molekular, por janë të dobishme për studime epidemiologjike në vatra, p.sh në shkolla”, tha ai.
Shumë qytetarë kanë zgjedhur të marrin paraprakisht vitaminë C dhe D si masë mbrojtëse ndaj coronavirus, por për këtë veprim doktor Sulçebe ka një këshillë për pacientët:
“Medikamentet anti-virale janë të pakta. Është vështirë të kesh medikamente ndaj viruseve, sepse ai futet në qeliza. Opinioni shkencor, vitaminat nuk kanë asnjë efekt në asnjë sëmundje. Këto janë psiko-terapi për të qetësuar pacientët. Të thuash se po bëj një trajtim me vitamina është e gabuar. Ka disa të dhëna jo shkencore, që vitamina C mund të lehtësojë infeksionin, por këto janë gjëra jo të prera”, tha ai.
Ai u bëri apel qytetarëve të respektojnë masat e diktuara nga Ministria e Shëndetësisë kundër Covid-19.
“Këto medikamente janë të shtrenjta, jo çdo njeri mund t’i marrë. Vaksina është revolucioni, e cila është për të gjithë për të fikur epideminë. Duhet të kesh durim, duhet të presim në radhë. Është një infeksion që parandalohet, mjafton të rrimë larg ndaj njëri-tjetrit, mjafton të ruhemi dhe kështu e kalojmë derisa të vijë vaksina”, u shpreh ai.
Ai theksoi se Covid-19 ngjason me një grip të zakonshëm, por shkalla e vdekshmërisë është shumë më e lartë në krahasim me gripin e zakonshëm.
“Është një sëmundje vetë-shëruese, që është vetë sistemi imunitar që e mund atë. Është një grip i zakonshëm. Dallimi është se jemi 3-5 herë mbi gripin normal. Gripi mesatarisht ka një të vdekur për 1000 banorë, ndërsa virusi ka 3-5 vdekje për 1000 banorë”, shtoi ai.