Elon Musk tregon eksperiencën me Covid-19: “U testova 4 herë, diçka e dyshimtë po ndodh”

Elon Musk foli në lidhje me Covid-19 mbëmjen e djeshme në Twitter, ku tha se ka marrë rezultate të ndryshme pasi bëri tamponin, ndërkohë që ka simptomat e një ftohje të zakonshme. Miliarderi tregoi se u testua 4 herë, duke përdorur testin e shpejtë të antigjeneve, dy prej të cilave dolën pozitive dhe dy dolën negative. Ai po ashtu po pret rezultatet e dy testeve PCR, rezultati i të cilëve do 24 orë që të bëhet i ditur.

Testi i antigjeneve funksionon duke zbuluar një proteinë të vogël në sipërfaqen e koronavirusit, ndërkohë që testi PCR gjen vetë virusin. Tamponi i antigjeneve i nxjerr rezultatet shumë shpejtë pasi nuk ka nevojë për laborator dhe përdoret më së shumti në vatra e infeksionit, si për shembull në kampuset e universiteteve apo në azilet e të moshuarve. Sipas ekspertëve, rezultatet pozitive të këtyre testeve janë të saktë, megjithatë ka shanse më të mëdha që të nxjerrin edhe rezultate false-negative. Prandaj testet PCR konsiderohen si më të besueshme në luftën kudnër përhapjes së koronavirusit.

Gjithsesi, Musk, i cili ka qenë shumë skeptik për pandeminë gjatë gjithë kësaj kohe, vuri në pikpyetje saktësinë e testeve: “Diçka shumë e dyshimtë po ndodh. U testova për Covid 4 herë sot. Dy teste më dolën negative, dy më dolën pozitive. E njejta makineri, i njeti test, e njejta infermiere. Testi i shpejtë i antigjeneve nga BD.”

Në fakt miliarderi i ”Tesla” ka shpërndarë teori konspiracioni, dyshime dhe ndonjëherë edhe informacione false për koronavirusin gjatë gjithë këtyre muajve. Ai ka akuzuar më parë doktorët që kanë rritur më qëllim numrin  e të prekurve, për arsye financiare, e ka quajtur frikën nga pandemia si diçka ”idiote”, ndërkohë që bëri edhe një parashikim në muajin mars, që në fund të prillit nuk do të kishte më të infektuar me Covid, parashikim që sigurisht ishte shumë i gabuar. Sikur mos mjaftonin këto ka nisur edhe një debat me Bill Gates për vaksinat.

Në SHBA ka pasur një rritje të madhe të rasteve me Covid-19. Javën e shkuar u regjistruan më shumë se 100 mijë raste ditore, ndërkohë që dje u raportua për 160 mijë raste të reja në një ditë, sipas “New York Times”. Shtrimet në spitale po ashtu shënuan një rekord të ri, me më shumë se 67 mijë brenda një dite, ndërsa numri o viktima është në një mesatare prej gati 1000 çdo ditë.

/News31

Burimi: The Verge