E ka të dashurën nga Bjellorusia, Klinton Zeqiraj: Ka dëshirë të jetojmë bashkë në Shqipëri, martesa është afër
Klinton Zeqiraj u bën “stop” të gjithë politikanëve e deri te njerëzit e thjeshtë për t’i pyetur në rrugë rreth kauzave të ndryshme, por në jetën private ka stopuar para kësaj bjelloruseje të bukur, të cilën e njohu në Sarandë.
Tashmë, ajo është rikthyer në vendin e lindjes, ku ndjek studimet e larta, por vjen ta vizitojë në Tiranë gazetarin e emisionit investigativ “Stop”. Për eksperiencat e tij televizive nga terreni i vështirë te studiot gjithë drita, dashurinë që të lë pa fjalë dhe planet për t’i dhënë fund beqarisë, Klintoni i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”:
Rikthehesh në “Stop” me intervistat e tua ngacmuese. Kujt politikani do t’i bëje autostop, ku do t’i kërkoje të të çonte dhe ç’bisedë do bëje në makinë? Politikani?
Asnjërit. Nuk i keni parë që janë antipatikë të gjithë, një më shumë roje se tjetri. Nihilista e fodullë… Kështu që do të preferoja një botues libri, një artist skene ose një pedagog universitetesh (nga ata që s’marrin lekë).
Si është të punosh me Saimir Kodrën dhe Gent Zenelajn, pra, si do t’i komentoje njërin apo tjetrin?
Më beso që të punosh në “Stop” është shkollë më vete. Saimiri dhe Genti janë dy njerëz pozitivë. Secili më i përgatitur se tjetri, kërkues dhe produktiv në të njëjtën kohë. Dy gjysma që plotësojnë njëri-tjetrin. Saimiri është ndryshe, sepse mban peshën më të madhe të emisionit si drejtor programi dhe unë i jam mirënjohës për besimin që ai ka krijuar tek unë.
Sigurisht, unë bashkëpunimin më të madh e kam me kryeredaktoren e emisionit, Valbona Kurtin, të cilën e kam pasur krahun tim të djathtë për çdo gjë që kam bërë në “Stop”. Me bindje e them se janë tre figurat që i qëndrojnë më së miri këtij formati!
Kur bën intervista në rrugë, si reagojnë njerëzit dhe a kujton ndonjë situatë të sikletshme?
Siç e thashë edhe më lart, terreni ka sfidat e veta. As vetë nuk e di çfarë u bëj njerëzve që më afrohen kur më shohin në rrugë me mikrofon! Situatë të sikletshme nuk kam pasur, por njëra që më ka mbetur në mendje është një zonjë, e cila nuk kishte lekë të blinte ilaçe për të birin. Sikur të mos mjaftonte kjo, ishte dhe pa shtëpi, sepse ia kishte prishur tërmeti!
Nga studioja në terren, ku ndihesh më i lirë dhe ku kënaqesh më shumë?
Studioja ka të bukurën e saj, por terreni është më produktiv. Në studio, në njëfarë mënyre, duhet të jesh brenda kontureve të seriozitetit, ndërsa terreni të jep ndjesinë e të prekurit të gjërave nga afër. Me të papriturat që ka, shpesh të jep emocione që nuk di si të reagosh! Mua më pëlqejnë gjërat spontane dhe prandaj e dua terrenin!
Duke qenë më afër popullit, do t’i largohesh botës apo të pëlqen të mësosh me shumë ç’ndodh me këtë realitet shqiptar?
Kur dal në intervista, ajo që vërej te pjesa më e madhe e njerëzve është fakti që flasin pambarimisht dhe në shumicën e rasteve më duhet t’i ndërpres. Por çfarëdo që mund t’ju them, ata sërish duken të irrituar. Kjo besoj se vjen si pasojë e pakënaqësive që kanë në raport me keqmenaxhimin e situatave në vendin tonë. Shoh njerëz të zhgënjyer, të harruar, të pashpresë dhe shumë të frikësuar. Besoj se po ndrydhen më shumë seç duhet. Dua të di më shumë për cilindo që shoh apo takoj, por, sa më shumë dëgjoj, aq më shumë frikësohem për të ardhmen e tyre dhe të vetes!
Ke provuar show-n, kërcimin, madje dhe këngën. Ka ndodhur që dikush të ka thënë “stop” dhe si ke reaguar?
Të gjitha i kam provuar. Në kërcim më kanë thënë “STOP!”, por e kam marrë në pistën e kërcimit. Çfarëdo të më thonë, unë nuk ndaloj! Shoh shumë të rinj të kompleksuar, por mendoj se nuk është kjo fryma që duhet të sjellim në shoqëri.
Po me çështjet e zemrës si po të ecën. E ndjen se kësaj here e ke gjetur dashurinë e jetës?
Kam një shprehje që ua them gjithmonë njerëzve që më shoqërojnë: “Mos dashuroni sende dhe persona, por për motive dhe qëllime!”. Të flas për dashuri jete është akoma herët. Mendoj se kam gjetur personin e duhur pasi më plotëson në shumë tipare dhe në karakterin që unë kam. Kemi gjithashtu edhe shumë të përbashkëta. Jemi thuajse i njëjti tip.
Si e menaxhoni lidhjen tani që je në Tiranë, duke qenë se partnerja jote është nga Bjellorusia, por jeni njohur në Sarandë?
Unë jam në Tiranë dhe ajo në Bjellorusi, pasi nuk është shqiptare. Flasim gjatë gjithë kohës kur jemi të lirë, sepse ajo është në shkollë atje. Ishte këtu pak ditë më parë, qëndroi një javë, pasi unë nuk mundem të shkoj. Nuk kam ndërmend ta lë për shumë gjatë atje (qesh). Me të mbaruar studimet, Katerina me dëshirën e saj do që ne të jetojmë në Shqipëri.
Ç’është dashuria e vërtetë për ty, është ajo që të çon në martesë dhe ti e ke një plan të tillë?
Dashuria e vërtetë nuk mund të shprehet dot me fjalë. Për t’u martuar, besoj nuk është shumë larg.
/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka