Xhensila Myrtezaj flet për fëmijërinë: “Nëna ishte e divorcuar, na rriti me shumë mund mua dhe motrën”
Xhensila Myrtezaj ka qenë e ftuar në emisionin “NIN” të Alaudin Hamitit. Këngëtarja e ka pranuar ftesën, pas një periudhe të gjatë hatërmbetjeje me moderatorin.
Lidhur me këtë, Xhensila ka shpjeguar se nuk është shumë gjakftohtë, ndaj dhe shpesh pret momentin që të kalojë inati. “Nuk jam kurrë hakmarrëse, por do e lë inatin tim të zbehet”, është shprehur Myrtezaj. Këngëtarja ka folur si rrallë herë për fëmijërinë, faktin që ajo dhe motra janë rritur vetëm nga e ëma, për shkak të divorcit të prindërve. Ajo ka theksuar se paragjykimet kanë qenë të shumta dhe se e vetmja ‘dritare e hapur’ për të ka qenë muzika.
“Kam qenë shumë fëmijë i ndrojtur, e vetmja dritare që ka qenë hapur për mua ka qenë muzika. Paragjykimi ka qenë e vazhdon. A do mundja unë të bëja atë që nëna ime ka bërë? Ime më ka luftuar shumë për mua për motrën time, u përpoq me mish e shpirt që të shkollohemi për të qenë në rrugën e drejtë. Mami gjithmonë ka qenë nënë konservatore. Unë mendoj që këto nëna dhe këto raste u duhen dhënë ndihmë edhe nga shteti edhe nga ne si komunitet. Ato janë heroina të vërteta”, është shprehur Xhensila. /News31