Nik Xhelilaj do të jetë “i keqi” këtë herë dhe kjo i pëlqen

Nik Xhelilaj është bërë pjesë e një seriali të ri turk dhe kjo nuk është hera e parë që aktori bëhet pjesë e prodhimeve kinematografike në Turqi. “News31” ka mësuar se Xhelilaj do të jetë në rolin e një ushtari bizantin.

Në serialin që mban titullin “Uyanis: Büyük Selçuklu”, Niku do të luajë një personazh mjaft interesant, ndonëse antagonist. Megjithatë, aktorit i pëlqen shumë roli, ashtu sikurse i duket mjaft interesant. Seriali ka mbledhur disa nga aktorët më në zë turq, ndërsa këtë herë nuk mund të mungonte Xhelilaj. Ky i fundit është angazhuar edhe në prodhime kinematografike gjermane, duke marrë pjesë jo rrallë herë në festivalet evropiane të filmit.

Niku prej disa vitesh tashmë është përfshirë në tregun ndërkombëtar, duke u kthyer shpesh në qendër të vëmendjes lidhur me projekte të ndryshme. Kemi parë jo pak foto të aktorit nga sheshxhirimet dhe nuk mund të mungonin as këtë herë disa momente nga prapaskenat. Me siguri, ndjekësit e serialeve turq po presin me padurim që “Uyanis: Büyük Selçuklu” të transmetohet edhe në Shqipëri. /News31