Einxhel Shkira: Jam e vështirë dhe shumë kokëfortë në lidhje, ja pse zgjedh futbollistin si bashkëshort
Krijon përshtypjen e vajzës së llastuar. Si është jeta jashtë ekranit, kush të përkëdhel ty?
Unë jam shumëëëë e llastuar nga familja, por kjo s’më bën mua përtace apo një vajzë neglizhente, që i do gjërat llokum në gojë. Përkundrazi, punoj shumë jo vetëm për veten, por dhe për ta merituar atë llastimin nga familja. Që në vogëlinë time ata kanë qenë dy prindër shumë të përkushtuar, por edhe krenarë për mua, qoftë dhe për zhgarravinat që hidhja në letër, apo “spektaklet” që prezantoja të hyrja e pallatit. Di të jem dhe shumë e thjeshtë, di të ulem në restorant, ashtu sikurse të blej byrek në rrugë dhe ta ha gjithë qejf, di të vesh fustane ekstravagante, por di të dal dhe me tuta shpie, di të lyhem si për dasmë, por edhe të dal pa krehur, të marr taksinë për dy minuta rrugë, ao dhe të marr autobuzin. A e bëj për të kursyer? Po, dhe për të kursyer e bëj. Nuk jam e pasur, nuk më ka llastuar leku, por dashuria e pafund që kam marrë çdo ditë të jetës.
Dukesh natyrë sportive dhe tifoze futbolli. Si u ndjeve që të kategorizuan si më e bukura e grave të futbollistëve?
Është e vërtetë që më pëlqen sporti dhe e ndjek futbollin kur mundem. Të të vlerësojnë si ndër më të bukurat në një “garë” aq të fortë, sigurisht që të jep një sadisfaksion dhe ndjehesh mirë, por siç e kam thënë dhe më parë emri im ndodhej gabimisht aty, pasi unë nuk jam ende gruaja e askujt mesa di unë.
Je shprehur në media se nuk të ecin lidhjet. Çfarë reaksioni ndodh mes teje dhe një djali të gabuar?
(Qesh) E keqja këtu është që me njerëzit e gabuar ndodh gjthmonë një reaksion, e ndërsa me të duhurin nuk më tërheq asgjë. Kështu jam unë, funksionoj mbrapsht. Më pëlqejnë sfidat, dhe gjërat e vështira, e ndoshta prandaj ndodh ky atraksion. E kur të dy janë të gabuar për njëri-tjetrin, normal që s’ka si të ecë, sepse gjithçka fillon e kthehet si një garë me pengesa, ku çdo ditë të duhet të kalosh nga një vështirësi në tjetrën, e kështu mbaron. Unë jam njeri problematik dhe këtë e di dhe vetë. Jam e vështirë për t’ia gjetur telat dhe shumë kokëfortë në një marrëdhënie. E dua shumë lirinë time, dhe kjo ndoshta më pengon që të jem gruaja e duhur për të bërë petulla te shpia gjithë ditën.
Nga eksperienca personale që ke, do të dëshiroje të ishe gruaja e një futbollisti dhe e kujt?
Hahaha, nuk është se e kam menduar kaq gjatë. S’e kam menduar as martesën ende, e jo më si do të jetë burri im. Por nëse do të jetë sportist le të themi s’do e kisha problem. Jeta e tyre më pëlqen, është komplet e kundërta e jetës sime, ka regjim të rreptë dhe çdo gjë të programuar me orare, ndryshe nga jeta ime që është një kaos i vërtetë. Me sa di unë, dinë dhe të gatuajnë e të bëjnë punë shtëpie, duke qenë se jetojnë vetëm, prandaj s’do ishte keq dikush që të më bënte punët. Sa për emër, hmmmm… Sigurisht që e kam një emër, por e kam sekret se pastaj do i sulen të gjitha siç ndodh zakonisht pasi i zbuloj unë. (qesh)
I beson intuitës dhe si e ndjen kur një djalë është fiks për ty?
Sigurisht, intuita është ajo që më orienton si fillim e më pas informacionet që kam për të. Tashmë kam gjithe jetën e rrethuar nga meshkuj që më ngacmojnë, dhe jam stërvitur aq mirë me këtë pjesë sa tashmë i dalloj me një të parë kush bën e kush jo. I eliminoj pa pasur nevojë t’i njoh, sepse e di çfarë do thonë, si do të sillen e çfarë duan prandaj i evitoj vetes këtë harxhim kohe. E thatë dhe ju, si e ndjen kur dikush është fiks për mua, pra thjesht e ndjen. Është i tillë, kur unë nuk bezdisem t’i flas apo nuk nguroj t’i përgjigjem e të dal me të. Ky pëlqim s’do të thotë gjithmonë lidhje, pasi në plot raste kemi përfunduar shokë të mirë pa pasur asgjë tjetër mes nesh.
Deri tani e ke provuar dashurinë e vërtetë?
S’e di a mund të ketë qenë dashuria e vërtetë, por jam e sigurt që dashurinë që përjeton kur je e vogël, dhe nuk të intereson asgjë veç ekzistencës së tij, s’besoj se do e përjetoj ndonjëherë më. Ajo është dashuri e pastër, e sinqertë, pa interesa dhe pa shumë analiza. Dhe besoj që njeriu vërtet mund të dashurohet vetëm kur është i vogël, dhe nuk kupton nga interesat e veta apo të bëjë analiza të thella. Është një histori e vjetër dhe shumë e gjatë, nga e cila kam mësuar se jeta vazhdon dhe nëse s’do jesh me atë që do. Do duash gjthmonë dikë pas atij, ndoshta jo njësoj, më pak a më shumë, por do duam gjthmonë ndryshe.
Miqtë e tu më të ngushte VIP kush janë? Ndani sekrete bashkë?
Sa më shumë e njoh botën e televizionit, aq më shumë i zbehet shkëlqimi në sytë e mi. Miq ka shumë pak vërdallë për të mos thënë aspak. Shumica bëjnë sikur të duan, apo të vlerësojnë e ndërkohë gjithçka kanë me ty është interes apo shtirje, të cilën e bëjnë shumë dobët. Unë kam preferuar të mos përzihem shumë në këtë vorbull, pasi më duket humbje kohe dhe energjie. Sigurisht, kam miqësi, përshëndetem apo bisedojmë për punë me një pjesë të mirë të tyre, po për të ndarë sekrete jo! Janë shumë të paktë ata me të cilët ndaj secrete, e aq më pak me VIP-at, që s’ka shans të mbetet sekret. Por sigurisht, nuk mund të lë pa veçuar Drinin, të cilin e kam shumë mik (dhe asgjë më shumë), Eltonin tatuatorin më të mirë në trojet tona, i cili për mua është shumë më VIP se ata që ne veçojmë si VIP-a, së bashku me bashkëshorten e tij, Valen, janë ata me të cilët këshillohem për gjëra të rëndësishme për mua dhe shpesh shoqërohemi së bashku nëpër evente që të mos biem pre e hipokrizisë së atyre gjoja “Vip-ave”, që na rrethojnë.
Kujton ndonjë propozim tundues pas famës në televizion?
Për mua asnjë propozim s’është tundues, nëse s’më pëlqen personi që më bën propozimin. Me dikë që do e pëlqeja do të shkoja deri në fund të botës. Por me keqardhje duhet të them që niveli i pëlqimit dhe i tundimit ka qenë shumë i ulët. Djemtë kanë harruar si të bëjnë për vete një vajzë që nuk blihet, apo nuk tundohet nga pozita, fama apo pasuria. Mendojnë që çdo kush e ka një çmim, por më duhet t’u them që më mirë do të rrija vetëm, sesa t’i shitesha dikujt. Një mashkull që s’më bën dot për vete me karakterin dhe tipin e tij nuk hyn fare te lista e meshkujve për mua. Punoj në televizion, e mendojnë që jam ndonjë “pjeshkë”, e thënë në gjuhën banale, por të më ndjeni çuna, nuk jam frut te stenda e lagjes që mund ta bleni me kile!
Kur flitet për njerëz të famshëm, mendojmë se jeta e tyre është fushë me lule. Ana tjetër e medaljes?
Jeta e askujt nuk është fushë me lule. E jona është thjesht disi më e ekspozuar me apo pa dëshirën tonë. Rrjetet sociale dhe buzëqeshjet false të japin imazhin e një fushe të bukur, por jo, s’është kështu. Është një punë shumë e bukur, e cila mbetet e tillë vetëm gjatë minutazhit që është e ndezur llampa e kuqe e kamerave. Kur ajo fiket gjithçka është e vështirë dhe shpesh e shëmtuar. Ka intriga brenda llojit, ka bërryla madje dhe debate nga më të rëndomtat. Njerëz që në televizion i shohim shumë të sjellshëm, jashtë tij janë komplet tjetër persona dhe aty merr zhgënjimet e para.
Jeta tjetër e VIP-ave është ajo virtuale, ti si ndihesh në fluksin e komenteve që bëhen?
E vërtetë dhe më prekin ata që na ndjekin, ata që na komentojnë, që marrin një guxim prej injoranti të flasin për jetën e dikujt që e shohin nëpërmjet ekranit të televizionit, apo të telefonave të tyre celularë. Kam frikë të them diçka, sepse dalin disa “mjeshtra” kritikë, që të mësojnë si të bësh diçka që ata s’e kanë bërë kurrë vetë, të tregojnë kush je ti. Edhe pse s’të kanë takuar kurrë, të paragjykojnë dhe kategorizojnë me fjalë që të lëndojnë. Jo se i thonë ata, sepse ata janë askushi në jetën time, por sepse mua me shumë vëmendje më ndjekin familja ime dhe njerëz që kam për zemër, dhe askujt si vjen mirë të lexojë komente ofenduese për fëmijën që e kanë rritur me aq mund, apo që po sakrifikojnë shumë për ecurinë time. Për publikun asnjëherë s’je e mirë mjaftueshëm, këtë e kam mësuar tashmë. Asnjëherë s’je e bukur mjaftueshëm apo e zgjuar. Të gjithë mendojnë se po të vishen e rregullohen sa ne, e t’u japësh mikrofonin do të mund ta bënin atë që bëjmë ne, por faktet tregojnë që mikrofoni na është dhënë ne, e atyre hapësira në rrjetet sociale për të hedhur vrer mbi dikë, që ata në ëndrrat e tyre më të fshehta do të donin shumë të ishin.
Si je ti kur bie në dashuri?
Unë gjithmonë jam e dashuruar, me jetën, me familjen, me punën, me veten… Por sigurisht, kam provuar dhe nga ajo dashuria që të trullos pak dhe kokën. Është një ndjenjë që të mbush me jetë, me lumturi dhe ndjehesh sikur do të japësh më shumë dhe më të mirën nga vetja, për dikë që s’të lidh gjaku, por një ndjesi e pashpjegueshme brenda vetes. Kur jam e dashuruar mbase jam pak më e butë se zakonisht, por asnjëherë nuk lë veten të më mposhtë dashuria, apo të bëj kompromise për hir të saj që mund të shkelin të drejtat dhe dëshirat e mia. Kjo sepse me veten do të kaloj gjithë jetën, që kështu mbetet ajo dashuria më e madhe.