Stefi Prifti: Jeta ime pa humbjes së bashkëshortes, ju tregoj për ndjesinë e pashpjegueshme që na bashkoi me Laureshën
Ka botë të bukur shpirtërore, që e ndihmon të shprehë jo vetëm dhembjen, por edhe gëzimin. Kantautori Stefi Prifti nga martesa disavjeçare me bashkëshorten e ndjerë Marinën, ka dy vajza Marian dhe Joanën. Është shumë i lidhur shumë me to, sidomos tani që kujdeset si prind i vetëm. Për rikthimin në muzikë me klip të gëzuar dhe pse ftuan në bashkëpunim këngëtaren e re Laureshën, rrëfehet për revistën “Story”.
“Bang Bang” një këngë e re vere nga vëllezërit e njohur korçarë. Pse zgjodhët Laureshën për këtë bashkëpunim?
Po afronte vera dhe menduam për detin dhe diellin. Në fakt nuk është se e patëm të menduar një këngë vere, pikërisht katër muaj më parë. Por ishte ideja e producentit të kësaj kënge, Gent Myftaraj, për këtë projekt dhe bashkëpunim. Lauresha është një vajzë e talentuar, shumë lozonjare, me respekt dhe dashuri për ne dhe muzikën tonë.
Si lindi ideja për të realizuar një këngë që vjen si lojë ndjenjash?
Në një duet gjithmonë ka një lojë. Ashtu si ju e quani.
Dy vëllezër që pëlqejnë të njëjtën vajzë, ju ka ndodhur ndonjëherë realisht në jetë?
Alkimia e ndjenjave është e çuditshme tek njerëzit… Mbase në ëndërr…
Çfarë ju tërhoqi tek Lauresha, pasi nuk është një këngëtare e njohur në tregun muzikor?
Asnjëherë nuk kemi bërë një bashkëpunim “interesi” me kolegë të njohur e të afirmuar. Gjithmonë ka pasur arsye më të rëndësishme. Natyrisht çdo gjë mendohet, por tek unë të paktën, vlerën kryesore për të filluar një bashkëpunim e ka respekti dhe një lloj ndjesie e pashpjegueshme, intuitive dhe telepatie. I jap rëndësi ndjeshmërisë artistike, energjisë reciproke, për të mos folur për llojin e muzikës, materialin etj. Dëshira e brendshme që ne kemi, për të suportuar dhe afirmuar talente të reja. Lauresha e meritoi! Tashmë ajo është e njohur, me stilin dhe sharmin e saj.
Karriera juaj muzikore ka qenë gjithmonë mes dy vëllezërve të pandarë. A ndodh që të keni keqkuptime mes njeri-tjetrit?
Keqkuptime jo, grindje apo sherre të vogla po…
Endri është ai artisti i hapur e që i pëlqen të thotë të vërtetën siç është. Ti, ai i përmbajturi po ashtu që të pëlqen e vërteta. Jeni përballur me vështirësi gjatë punës suaj për faktin se i keni shprehur mendimet troç?
Unë e njoh veten për shumë të vërtetë. Për tema të rëndësishme apo diskutime e debate profesionale, mbase jam një nga njerëzit me të vërtetë dhe të pavarur tek liria e fjalës dhe mendimit. Është një nga parimet e mia themelore. Vështirësi ka gjithmonë. E rëndësishme është të dish t’i kapërcesh dhe të ecësh përpara.
Po punoni për ndonjë album, dhe si do të jetë tematika e këngëve?
Gjithmonë jemi me projekte në mendje, dhe e përditshmja jonë aty bazohet. Prioritetet e gjejnë vetë rrugën.
Ky është klipi i parë pas humbjes së njeriut të shtrenjtë, bashkëshortes suaj. Si kanë qenë këto muaj?
Të vështirë.
Ku e gjen forcën një burrë si ty për ta nisur jetën nga e para?
Unë thjesht po përpiqem të vazhdoj jetën. Vajzat e mia janë forca ime. Muzika gjithashtu.
Muzika që dëgjon më dëgjon më shpesh këto kohë?
Ju kërkoni diçka konkrete dhe mund ta jepja një përgjigje të tillë, por më shumë më pëlqen të them se, muzika është e pafundme dhe e shumëllojshme. Ka shumë mundësi për të zgjedhur. Ajo që mbase do ju dukej e çuditshme, është se mua më pëlqen shumë krijimtaria, dhe në këtë kohë pothuaj janë përfunduar tre këngë. “Bang Bang”, një bashkëpunim me të madhin Aleksandër Gjoka, që do të dalë në shtator dhe një këngë shpirtërore, që e krijova unë me tekst të bashkëshortes sime Marina, këngë të cilën do e këndoj me vajzën time Maria.