Reja shtyn ardhjen në Shqipëri, transferta e parë pa kufizime. Zbulohet plani i kuqezinjve

Shqipëria do të nisë edicionin e Ligës së Kombeve me 4 shtator. Sfida e parë për kuqezinjtë do të jetë në udhëtim ndaj Bjellorusisë, në të cilin do të startohet edicioni kualifikues. Pak ditë më parë, në një intervistë për mediat italiane, trajneri Edi Reja kishte deklaruar se do të provojë që të udhëtojë drejt vendit tonë më 15 të këtij muaji. Gazeta ka mësuar se diçka e tillë nuk ka ndodhur. Edi Reja pritet që të vijë në vendin tonë me 30 gusht.

PLANI – Shqipëria do të nisë grumbullimin në datën e fundit të muajit. Më 31 gusht Edi Reja dhe lojtarët e thirrur për dy ndeshjet e radhës do të startojnë punën për të përgatitur dy 90-minutëshat e parë të këtij kompeticioni. Shqipëria do të luajë ndaj Bjellorusisë më 4 shtator në orën 20:45, dhe tri ditë më vonë do të rikthehet në kryeqytet për të pritur Lituaninë në 7 shtator po në orën 20:45. Këto janë ndeshje të vlefshme për Grupin e katërt të Ligës C ku kundërshtari i katërt në këtë grup është edhe Kazakistani.

“LEHTËSIRAT” – Në këtë situatë që po kalon i gjithë globi, protokolli strikt i masave vë shpesh në vështirësi skuadra të ndryshme që do të luajnë nga një shtet në tjetrin. Mirëpo, për fat, Shqipëria dhe Bjellorusia nuk kanë shtrëngesë në kufi mes tyre. Pra, për Kombëtaren, krahas testeve të nevojshme të kërkuara nga UEFA, nuk do të ketë pengesa në kufi dhe as detyrime për regjim karantine.

PROTESTAT – Megjithatë, problem për ekipin tonë përfaqësues mund të bëhet vetëm situata në vend, pasi në Bjellorusi ka nisur një valë protestash. Për shkak të procesit zgjedhor të zhvilluar atje, ka nisur një problematikë e brendshme dhe deri më katër shtator shpresa për kuqezinjtë është që gjithçka të jetë qetësuar dhe të mos ketë më trazira në qytet.

PANORAMASPORT.AL