LevanGOLski, njihuni me 5 sekretet e bomberit të Bajernit
Mund ta quani pa frikë Levangolski. Polaku i Bajernit të Mynihut nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të shënojë. Edhe në sfidën e fundit ndaj Çelsit, ai e tundi dy herë rrjetën dhe shërbyer një herë për Tolison duke u bërë kështu lojtari më i përfshirë në golat e skuadrës kampione të Gjermanisë. Mediat gjermane shkruajnë vetëm për yllin bavarez, i cili duket se po kalon formën e jetës së tij në Mynih. Po cilat janë pesë sekretet e bomberit polak.
1. NJERIU CHAMPIONS
Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Raul, Robert Levandovski: Ky ishte goli i 65-të i polakut në Champions. Ai barazoi në renditje sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema. Me golin e dytë ai la pas francezin, duke u renditur pas legjendës Raul që mban vendin e tretë në renditjen e golashënuesve më të mirë në historinë e Champions-it.
2. REKORDMENI
Leva vendosi edhe një rekord të ri në skuadrën e Bajernit. Ai është lojtari i parë që shënon në shtatë ndeshje radhazi në Champions. Askush më shumë se polaku që nga faza e grupeve dhe deri tani nuk i ka marrë për dore kampionët e Gjermanisë falë golave të tij.
3. HISTORIK
Asnjë lojtar nuk ka shënuar më parë për një skuadër gjermane në një sezon, sa ai. 31-vjeçari ka në llogarinë e tij 13 gola me fanellën e Bajernit në këtë kompeticion. Në total, Robert ka shënuar 66 gola në 87 ndeshje të Champions-it. Vetëm Ronaldo dhe Mesi kanë shënuar më shumë se ai. Portugezi i Juventusit mban edhe rekordin me 17 gola të shënuar në një sezon. Kjo ka ndodhur në 2013-2014 ku ai luante për Real Madridin.
4. I GJITHËPËRFSHIRË
Levandovski, Levandovski dhe sërish Levandovski. Polaku u përfshi në të shtatë golat në dy përballjet me Çelsin (tre gola dhe 4 asiste). Ishte hera e 16-të që ai shënon në Champions. Vetëm Ronaldo (36 herë) dhe Mesi (34 herë) kanë shënuar më shpesh.
5. SIGURIA
Kur Levandovski shkon të ekzekutojë një 11-metërsh, çdo tifoz i Bajernit është i sigurt që ai do të shënojë. Portierët kundërshtarë kanë pak mundësi ta ndalin atë. 11 herë ka shënuar polaku në Champions nga pika e bardhë. Në të 11 herët ai nuk ka gabuar, ashtu siç nuk bëri edhe në ndeshjen e së shtunës ndaj Çelsit.
TROFEU
Robert Levandovski vazhdon të shkëlqejë me skuadrën e Bajernit. Polaku nuk ndalon së shënuari duke vendosur edhe një tjetër rekord në arritjet e tij. Me dy golat e shënuar ndaj Çelsit në ndeshjen e kthimit të 1/16-ave, Leva tregoi edhe njëherë tjetër se nuk kërkon të ndalet dhe se do me patjetër të fitojë Champions-in. “U munduam të luanim përpara edhe pse kishim shënuar tre gola në Londër. Skuadra po zbavitet dhe kjo është një shenjë e mirë. Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë si skuadër. Rekordet? Nuk më interesojnë shumë, ajo që dua është të fitoj trofeun. Është diçka që më mungon në karrierën time. Mendoj se ky është sezoni i duhur për ta sjellë në Mynih. Skuadra po punon fort dhe nëse vazhdojmë kështu, shanset që në fund trofeun ta ngremë ne, janë të mëdha”, tha 31-vjeçari