Pedagogu tregon bisedën e fundit me Arben Bajon: Mos ki frikë se nuk na kap ne kjo e flamosura

Pedagogu Roland Bejko është shfaqur i hidhëruar për ndarjen nga jeta të mikut të tij, Arben Bajo.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bejko tregon bisedën e fundit me skulptorin e njohur, i cili i kishte thënë që të mos kishte frikë, se nuk do infektoheshim me COVID.

Bejko shprehet më tej se artisti i njohur do të mbahet mend gjithmonë për veprat e njohura që la pas.

POSTIMI:

Iku dhe Arben Bajo. Beni luante me jetën kukafshehti, ja kështu si te kjo foto.

Për herë të fundit e kam takuar disa ditë më parë pranë Akademisë. Isha duke ecur me makinë. E pash në trotuar dhe i rashë borisë.

Ktheu kokën, më pa dhe u afrua te makina. Ula pak xhamin. “Ule mor tamam”,- më tha “mos ki frikë se s’na kap ne kjo e flamosura…” Shkëmbyem romuze për politikë, edhe pse Benit nuk ia ndiente shumë për të. Folëm për punimet e tij dhe për Covid. “Na ndau”,- tha, “bëhu për një kafe, ti e di ku më gjen”.

Si mund ta dija që në fakt ato dy tre minutat e bisedës në këmbë, ishin të fundmet e gati 40 vjet miqësi qysh nga koha kur akoma fëmijë, mësonim pikturë? Lamtumirë Ben, Sa herë të flitet për At Zef Pllumbin do kujtojmë ty. Sa herë do dëgjojmë këngët e Vaçe Zelës do na shafesh aty si një personazh i një videoklipi të përjetshëm! Ti u dhe jetë atyre sigurisht, por ata dhe qindra vepra të tjera ty të dhenë përjetësi të merituar. I paharuar miku im, miku ynë! Mirë u pafshim!

Skulptori Arben Bajo, humbi jetën mëngjesin e sotëm, pasi ishte i infektuar me COVID-19.

Miqtë e tij në mediat sociale kanë dhënë lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta. Bajo ishte një skulptorët më të njohur që ka vendi.

Dje u sensibilizuar shumë njerëz për të ndihmuar atë me gjak, por gjithsesi ai nuk mundi të shpëtonte. Vetë kryeministri, Edi Rama është është trishtuar shumë për vdekjen e Bajos.