Spikati me Vllazninë, futbollisti i Partizanit: Do qëndroj këtu, idhulli im është Serxho Ramos
Agim Dajçi i ka surprizuar të gjithë me debutimin e tij me Partizanin në ndeshjen ndaj Vllaznisë, takim i cili u fitua nga “demat” me rezultatin 3-0. Në komentet pas ndeshjes, shumë dashamirës të kuq bënin pyetjen se ku ka qenë Dajçi më përpara që nuk e kanë aktivizuar. Agim Dajçi dje ka mbushur 20 vjeç dhe në verën e shkuar iu bashkua Partizanit ku ka edhe dy vite kontratë.
Ai është produkt i Shkëndijës së Tiranës dhe te Partizani ka ardhur si lojtar i perspektivës, kryesisht në qendër të mbrojtjes apo në të djathtë. Ndaj Vllaznisë 20-vjeçari debutoi dhe tani pret të ketë vazhdimësi me fanellën e kuqe.
Në intervistën e dhënë pas debutimit me shkodranët, për “Panorama Sport”, Dajçi tregon emocionet e këtij takimi, keqardhjen për dështimin e sezonit dhe optimizmin që vitin tjetër Partizani do të jetë kampion. Dajçi tregoi se “demat” luajtën pa frikë ndaj Vllaznisë dhe ai pati mbështetjen e shokëve. Në fund ai pohon se ka idhull Serxho Ramosin, ndaj dëshiron që t’i ngjajë sadopak kapitenit të Realit të Madridit.
E prisnit që paraqitja juaj në fushë do të ishte kaq pozitive?
Realisht e prisja, pasi jam stërvitur shumë mirë edhe në stërvitje. Ndaj Vllaznisë m’u dha mundësia dhe e shfrytëzova shumë mirë.
Me debutimin, a hodhët një hap për vazhdimësinë te Partizani?
Besoj se po. Them se kam bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë dhe tani të shikojmë se cila do të jetë vazhdimësia.
Si e mendoni sezonin e ri të Partizanit?
Fillimisht të shikojmë se kush do të jetë trajneri i ri dhe më pas etapat që do të ndjekim. Personalisht më del për detyrë që të stërvitem shumë mirë dhe të shfrytëzoj momentet që do të më jepen. Kam besim se gjërat do të jenë shumë herë më mirë se këtë vit që dihet se si u mbyll. Shpresoj që të kthehemi aty ku ishim para një viti. Pa dyshim që titullin kampion do ta synojmë.
Ky sezon u mbyll pa asnjë trofe, madje edhe pa pjesëmarrje në Europë…
Keq na vjen, pasi nuk e meritonim këtë përfundim. Mendoj se kishim një ekip dhe grup të mirë. Futbolli ka nevojë edhe për pak fat. Por, ja ky paska qenë fati ynë për këtë sezon dhe nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë. Ajo që ka shkuar nuk kthehet më.
A ndihej frika brenda skuadrës para ndeshjes me Vllazninë se mund të përfundonit në “play out”?
Frikë nuk kishim fare për sa i përket këtij aspekti. Jemi stërvitur shumë mirë dhe kishim besim se do t’ia dilnim ndaj shkodranëve dhe në fund morëm një rezultat të pastër, që tregoi se nuk kishim presion dhe frikë.
Personalisht, e patët të vështirë që të harmonizoheshit në ndeshje me skuadrën dhe aq më shumë me shokët e repartit mbrojtës?
Jo, nuk kam pasur asnjë problem në këtë aspekt. Madje, çunat e ekipit më kanë mbështetur shumë gjatë gjithë kohës dhe për këtë i falënderoj të gjithë.
Do të vijoni të jeni pjesë e Partizanit edhe pas përfundimit të këtij sezoni?
Sigurisht që do të vijoj të jem pjesë e klubit, pasi jam nën kontratë edhe për dy vite në vazhdim me Partizanin.
Në rolin tuaj, cilin lojtar keni idhull apo dëshironi t’i ngjani?
Referuar brezit të tanishëm të lojtarëve, shembulli është Serxho Ramos. Tani të shikojmë se çfarë rrjedhe do të marrë karriera ime. Kapitenin e Realit e kam qejf, ndaj edhe dëshira është që t’i ngjas sadopak atij si qendërmbrojtës.
PANORAMASPORT.AL