Reja bllokohet në Itali. Fati i tij, një dilemë për t’u zgjidhur

Shqipëria do të rikthehet të luajë në muajin shtator, për ndeshjet e vlefshme në Ligën e Kombeve. Mirëpo, teksa situata me pandeminë në të gjithë botën nuk është qetësuar akoma, problem mbetet moshapja e kufijve dhe fakti që fluturimet ajrore janë ende shumë të kufizuara nga shteti në shtet. E teksa rastet me persona të infektuar nuk po ulen, kjo bën që Organizata Botërore e Shëndetësisë të përmendë herë pas here se mund të ketë edhe një valë të dytë infektimesh… Po çfarë ndodh në rast të tillë?

TRAJNERI – Edi Reja, me të gjithë eksperiencën e tij është duke ndërtuar një skuadër me bosht cilësor për aktualitetin, por edhe me një vizion dhe mbështetje te të rinjtë për të pasur një brez të garantuar në vazhdimësi. E teksa e gjithë kjo është një punë për t’u vlerësuar për çfarë është bërë deri më tani dhe çfarë është në zhvillim e sipër, pikërisht për trajnerin lindin disa pikëpyetje dhe dyshime. Nisur edhe nga ky grumbullim i fundit që do të bëhet, në të cilin trajneri nuk mund të jetë në vendin tonë për shkak të bllokimit të kufijve, atëherë mund të shndërrohet në shqetësim për federatën.

MOSHA – Trajneri ofron eksperiencën e madhe sidomos në Serinë A, por për fat të keq, nga e gjithë kjo pandemi është pikërisht mosha më e rriskuar sipas autoriteteve shëndetësore në të gjithë botën. E kësisoj, në rast se nuk do të ketë një qetësim të situatës në të gjitha vendet, bllokimi i fluturimeve mund të zgjasë akoma. Mungesa e udhëtimeve të vazhdueshme për vetë trajnerin do të kushtëzonte shumë punën e tij duke ngritur një dyshim madhor për FSHF-në.

PANORAMASPORT.AL