Kisha Ungjillore reagon pas dëshmisë së Blerta Josifit: “Nëse ato kanë qenë ungjillore ky është dështim i besimit tonë”

Përfaqësues të Kishës Ungjillore dhe pastori Ylli Doçi, presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, kanë folur sot për mediat pas dëshmisë së 34-vjeçares Blerta Josifi, e mbijetuara e ngjarjes së rëndë të vetëflijimit në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Ndër të tjera ajo ka deklaruar se së bashku me nënë dhe motrën e ndjerë kishin qenë ndjekëse të Kishës Ungjillore por, ishin shkëputur 2 vite më parë.

Kujtojmë se prokurorët dyshojnë se besimi i tyre fetar i ka cuar në ndërmarrjen e aktit ekstrem, me shpresën për t’u ringjallur, ndërkohë që po hetohet lidhja e familjes me Dëshmitartë e Jehovait apo sekte të tjera.

Pas dëshmisë pastori Doçi, duke komentuar edhe ngjarjen e rëndë, tha se Bibla e dënon aktin e vetëvrasjes dhe nëse do të ishte e vërtetë se Kisha Ungjillore do të predikonte vetëvrasjen, ky besim nuk do kishte aspak të ardhme. Pastori shpjegoi se çdo fe beson te ringjallja, por të gjitha e dënojnë vetëvrasjen.

“Ne si përfaqësues u informuam për familjen Josifi dhe për tragjedinë e tyre. Me këtë rast ne duam të ngushëllojmë të afërmit për humbjen e pakuptimë të jetëve në izolim dhe shërim të plotë të vajzës së mbijetuar. Vërejmë një fenomen të rrezikshëm në media të shkaqeve jo materiale të vdekjes së tyre, duke implikuar vrasjen me fenë. U tha në fillim se ishin dëshmitarë të Jehovait. Në mënyrë absurde u theksua ideja e ringjalljes si problematikë kur fakti është se të gjitha fetë besojnë në ringjallje dhe vetë ideja e ringjalljes është faktor inkurajimi për jetën heroike përballë çdo sfide dhe jo kapitullimi para vdekjes.

Shërbesat e Kishës Ungjillore i keni çdo ditë. Të vajtojmë jetët e humbura dhe të urojmë shërim të mbijetuar, pastaj të gjykojmë faktorët, t’i analizojmë me mençuri se pastaj do të mbrojmë harmoninë dhe shëndetin mendor të shoqërisë sonë që në këto ditë pandemie është e rënduar.

Një ungjillor vjen nga fjala ungjill, që do të thotë lajmi i mirë. Lajmi i mirë është që perëndia na do. Nëse një ungjillor arrin të shkojë kundër besimit të vet, siç shkojnë këto vajza duke vdekur nga uria, është dështim.
Njerëzit vrasin vetën për shumë arsye. Nëse ato kanë qenë ungjillore ky është dështim i besimit ungjillor. Bibla e dënon vetëvrasjen. Perëndia nuk na krijoi ne që të marrim jetën. Po të ishte se besimi ungjillor do predikonte vetëvrasjen nuk do kishte të ardhme besimi. Mund të jenë deviacione të njerëzve, por duhen analizuar.”- tha Doçi.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti, bëri me dije se familja Josifi ka qenë anëtare e këtij komuniteti fetar para 15 vitesh në Përmet. Megjithatë me ardhjen në Tiranë, kanë qenë vizitore, por jo anëtare”.

“Në bazë të komunikimeve, kanë qenë para 15 vitesh në Përmet, ndërsa në Tiranë mund të kenë qenë vizitore, por nuk rezultojnë si anëtare të kësaj kishe. Kishat janë të hapura çdo ditë, marrin libra, por nuk kanë qenë si pjesë anëtare të Kishës. Unë jam pastor në Kombinat dhe nuk kam dëgjuar asnjëherë për këtë familje…”

/News31.al