Dëshmia e të mbijetuarës së familjes Josifi: “Motra vdiq para 16 muajsh, e pushtuan demonët kur la ushqimin”
Vajza e mbijetuar e familjes Josifi, Blerta Josifi, ka dhënë dëshminë e saj ditën e sotme lidhur me ngjarjen e rëndë në Kombinat. Burime për Top Channel bëjnëme dije se Blerta ka pranuar se e motra kishte ndërruar jetë para 16 muajsh.
Sipas saj, Anisa Josifi kishte humbur jetën më 29 mars të 2019-tës. Ndërsa, dëshmon se e ëma ka vdekur më 2 korrik, ditën kur u gjet e pajetë nga forcat e policisë. Burime pranë Top Channel tregojnë se Blerta ka rrëfyer që e motra qendroi 52 ditë pa ngrënë. “E pushtuan ‘demonët’ dhe krizat para se motra të linte ushqimin. Në mars të 2020, nisëm dhe ne argjërimin, pinim vetëm ujë. Donim të bënim sakrificë të rikthenim motrën në jetë”, ka qenë një pjesë e rrëfimit të saj. Blerta ka treguar se pak momente para vdekjes, e ëma ishte ulur në gjunjë për t’u lutur.
Mediat kanë arritur të sigurojnë pamjet e dhomës ku trupi i pajetë i Anisës ka qendruar për 16 muaj.E ëma dhe Blerta kishin vendosur ventilatorë për të larguar mizat dhe erën e rëndë të kufomës. Top Channel gjithashtu bën me dije se sipas të dhënave zyrtare, vajzat e familjes nuk ishin larguar kurrë jashtë vendit. Hetimet po vazhdojnë lidhur me zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dëshmia e Blertës besohet të shërbejë si çelës kyç për të kuptuar gjithçka rreth ngjarjes makabër…
Burimi: Top Channel