Silva Alikaj & Artogrel Dervishi: Vendosëm të martohemi ditën kur morëm lajmin se do të bëheshim prindër
Të dy në jetë merren me art, nusja me pikturë ndërsa dhëndri me kuzhinë. Silva Alikaj as nuk e kishte menduar se do të lidhte jetën me vëllain e shoqes së saj më të mirë, Artogrel Dervishin. Por rastësia është mbreti i botës, pasi në kafen e tyre në prani të saj, ata ranë në dashuri me shikim të parë. Datën e tyre të lidhjes 25.11.2010 tashmë e kanë gdhendur si kujtimin më të bukur në unazat e martesës, që i shkëmbyen në altar. Ata vijnë në një rrëfim shumë personal për revistën “Story”, bashkë me një set fotosh artistike të realizuara nga Taulant Haxhiasi para dhe gjatë ceremonisë së dasmës.
Si e kujtoni historinë tuaj të dashurisë, ishte dashuri me shikim të parë?
Nusja: Një kujtim vërtet i bukur dhe i paharuar. Jemi njohur në mbarim të vitit të tretë të shkollës së lartë. Një njohje krejt rastësore, pasi mikja ime sot është dhe kunata ime. Një ditë dolëm për kafe siç dilnim përherë, por këtë herë ishtë ndryshe pasi erdhi dhe vëllai i saj. Aty ne u dashuruam me shikim të parë.
Dhe sa kohë nga njohja vendosët për martesë?
Dhëndri: Pas pesë vjetësh vendosëm ta kurorëzonim lidhjen tonë me martesë. Në fakt momenti i propozimit ishtë shumë i veçantë për faktin se po atë ditë mora dy gëzime në një ditë: E para një “po” nga ana e Silvës, dhe e dyta lajmin më të bukur dhe më të veçantë që më bëri Silva, duke më thënë së tashmë jemi tre. Lajmi i ardhjes së fëmijës sonë në jetë ishtë gjëja më e bukur, që mund të më ndodhte në ato momente.
Si e përjetuat momentin e altarit?
Ishte një moment “magjik” dhe plot emocione. Kujtimet që na ka lënë altari janë vërtet të bukura. Çdo detaj ishte i rëndësishëm për ne, sidomos kujtimi më i bukur ishte kur vendosëm unazat dhe i thamë “po” njëri-tjetrit.
Ceremonia e dasmës ishte tradicionale apo moderne?
Le të themi që ishte pak nga të dyja, moderne dhe tradicionale.
Ku synuat të ishit të veçantë?
Rëndësi për ne kishte thjeshtësia.
Surprizat që i bëtë njëri-jetrit dhe surprizat që u bënë të afërmit ju?
Surprizat që na bënë të afërmit tanë ishin të shumta, por më e bukura nga të gjitha ishte surpriza që i bëmë ne, si atyre dhe vetes tonë që do të bëheshim me djalë, dhe ata me nip.
Ishte ceremonia e dasmës nata më e bukur e jetës suaj dhe si e përjetuat ndryshimin e statusit?
Nata e dasmës ishte e bukur për ne, por nata më e bukur e jetës sonë ishte ardhja e fëmijës sonë në jetë. Një natë e paharruar.
Bëtë ndonjë marrëzi si nuse e dhëndër?
Jemi natyra të qeta të dy. Në plan e kishim, por nuk bëmë ndonjë marrëzi se kishim kujdes për fëmijën.
Kujtimi më i bukur që do të ruani si çift?
Për ne të dy çdo ditë ka pasur kujtime të bukura, por më e bukura është ardhja e djalit tonë.
Veshja e çiftit
Si të gjithë çiftet, veshja ishtë tradicionale. Nusja dhe dhëndri preferuan të mos dilnin nga natyra e tyre, pasi ndryshe nuk do të ishim vetvetja atë natë.
Unazat që shkëmbyen
Çifti tregon se në unazat e tyre të kurorëzimit kanë gdhendur datën që janë lidhur bashkë, 25.11.2010. Për ta ishte shumë e rëndësishme që ta kujtonin përherë atë moment.
Muzika e ceremonisë
Muzika që zgjodhën si për ceremoninë, edhe për kërcimin e tyre të parë ishin kënga që ia kishin dedikuar njëri-tjetrit. Ndërsa në momentin e prerjes së tortës, u vendos në sfond muzikë tradicionale.
Muaji i mjaltit
Muajin e mjaltit e vendosën ta bëjnë pasi të lindë dhe fëmija që të jenë të tre, dhe të kenë një kujtim akoma më të bukur.