Brenda shtëpisë së tragjedisë, policia gjeti Bibla dhe Anisën të mumifikuar

Detaje të tjera kanë dalë në pah nga tragjedia me dy të vdekur në Tiranë, ku nëna dhe vajzat kërkuan vetëflijimin për t’u ringjallur sipas mësimeve të një sekti fetar të krishterë.

Abcnews.al ka siguruar imazhe nga brenda njerës prej dhomave të shtëpisë ku Zhaneta dhe Anisa Josifi u gjetën të vdekura, ndërsa policia arriti të mbërrijë në kohë duke shpëtuar Blerta Josifin.

Në mur duken fotot e familjes Josifi, ku në krah të djathtë është ajo e Llukë Josifit, i cili ka ndërruar jetë duke u hedhur nga lartësia disa vitë më parë, ndërsa në të majtë Zhaneta me njerën nga vajzat në krah.

Policia e gjeti trupin e Anisa Josifit të dekompozuar dhe të mbuluar me batanije dhe jorganë, ndërsa në ambientet e shtëpisë kishte mjaft fletëpalosje me përmbajtje fetare si edhe Bibla.

Dyshohet se gratë janë indoktrinuar nga një sekt fetar i krishterë duke mbërritur në gjendje depresive, gjë e cila duket se ka sjellë edhe tragjedinë.

Paraprakisht mendohet se Anisa Josifi ka vdekur prej më shumë se një viti dhe mbahej në shtëpi duke ia lyer trupin me vaj ulliri dhe uthull, ndërsa Zhaneta mendohet të ketë ndërruar jetë 2-3 ditë më parë.

Pikërisht ky fakt ka alarmuar edhe vëllain e saj, i cili njoftoi policinë kur e motra nuk i përgjigjej në telefon. /abcnews.al