Njihuni me ish-gratë e Endri Priftit: Asnjëherë s’kam qenë unë fajtori i ndarjeve
Një këngëtar që nuk nguron të flasë hapur në publik për jetën e tij private, dhe kjo është arsyeja pse e duan të gjithë. Endri Priti është artisti 42 vjeçar nga Korça, i cili së fundmi bëri përshtypje me një status të shkruar nga profili në Instagram i djalit të madh, Simone Prifti, ku rrëfente historinë e tij të jetës si telenovelë me ish-gratë. Në statusin në fjalë ai rrëfente: “Mbi një vit e gjysmë unë jetoj dhe punoj vetëm për dy fëmijët e mi të dashur, Sebastian Simone Prifti dhe Vasileon Prifti. Kështu më ka marrë jeta. Pra me gruan e tretë jemi ndarë disa herë, bashkuar prapë, por përfundimisht ka qenë në nëntor 2014. Ju tregova dhe një sekret. Martesa e parë ka qenë pa celebrim me një greke, zgjati shumë pak, vetëm disa muaj. U nisa t’i them këto, se secili më vonë zgjedh rrugën e vet, punën e vet dhe nuk mund ta komandojë njeri përveç vetes dhe familjes së vet. Njëri mund të bëhet saldator, tjetri mund të bëhet piktor, tjetri traktorist, tjetra prostitute, e çfarë e çfarë të duash ka kjo jetë që jetojmë. Dua t’ju jap një mesazh juve gocave të reja dhe djemve të rinj. Kujdesuni me kë shoqëroheni, kujdesuni me kë rrini, mos u blini asnjëherë me lekë, kujtoni prindërit tuaj si ju kanë rritur, nderi i familjes nuk blihet. Ka lënë Zoti për të gjithë në qoftë se jemi të palyer me qelbërsirllëqe…”. Por i pyetur në lidhje me historinë e jetës dhe pse kanë dështuar martesat e tij, Endri përgjigjet: “Asnjëherë nuk kam qenë unë fajtori i ndarjeve. Unë u kam dhënë gjithçka do një grua familjare”. Por shumë prej miqve të tij janë befasuar, për faktin se nuk e kanë ditur që ai përveç dy martesave nga të cilat ka dy djemtë, Simone dhe Vasileon, ka pasur dhe një martesë të parë, me një greke. Për këtë martesë të parë të artistit kanë qenë në dijeni vetëm rrethi i ngushtë i tij, ndërkohë që po ju njohim me dy ish-gratë nga qyteti i tij, Korça, të dyja bionde dhe të diplomuara për pikturë, të komentuara si më të bukurat e qytetit, Orinona Kaçakun dhe Anjeza Kolevicën.
Gruaja e parë, dhe telenovela e re e saj e dashurisë me një turk
Oriona Kaçaku është biondja nga Korça, e cila nga martesa me Endri Priftin ka sjellë në jetë djalin e tyre Simone, të cilin e ka rritur i ati. Pas ndarjes, Oriona është vendosur në Turqi, ku dhe ka krijuar familjen e saj të re, pasi u martua me një burrë turk. Në fotot e celebrimit, teksa pozon me bashkëshortin aktual, ajo ka marrë shumë urime për jetën e re që ka ndërtuar në çift, lidhje që e quan në komentet e saj “telenovelë dashurie nga ato të bukurat”, dhe që mikeshat ia kthejnë “urojmë të mos mbarojë kurrë”. Oriona, ka qenë një nga vajzat më të bukura të Korçës kur është njohur me Endrin. Ajo i përket fushës së artit, pasi ka mbaruar shkollën e mesme për pikturë në Korçë dhe degën Skenografi në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Aktualisht punon si arreduese shtëpish dhe dyqanesh në Stamboll të Turqisë, ndërkohë që nga martesa e dytë ka një djalë.
Gruaja e dytë, dhe historia disa vjeçare me ndarje e ribashkime
Para dy vitesh Endri festoi 40 vjetorin në një darkë speciale me miqtë, dhe kjo darkë shërbeu edhe si një festë ribashkimi me ish-gruan e tretë pas tre vitesh divorc, Anjeza Kolevicën. Anjeza është nëna e djalit të dytë të këngëtarit, Vasileon, por gjatë martesës ajo ka qenë nënë edhe për djalin e madh të Endrit, Simone. Ai gjithmonë i ka kënduar asaj, jo vetëm kur ishin bashkë, por edhe kur u ndanë, duke i dedikuar baladat më të ndjera të repertorit, si: “Të kam dashur tepër”, “Ti s’e meriton” apo “Do vazhdoj të flas”. Ata u ribashkuan në 2014-ën pas divorcit që kishin bërë në Gjykatën e Korçës, vit kur Anjeza u rishfaq pranë tij në festivalin “Kënga Magjike”. Kjo ishte dhe periudha kur ata shiheshin bashkë edhe në ambiente argëtuese, apo club-in “Crazy Calvin”, ku Endri këndonte live. Anjeza Kolevica është një vajzë shumë e bukur, dhe po ashtu artiste në profesion. Ajo ka mbaruar studimet për pikturë në Itali, ndërkohë që punon në Tiranë në biznesin e të atit.