Mbyllet çerdhja në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pjestarë të stafit pozitivë me Covid-19

Çerdhja numër 16 në zonën e ish-Bllokut është mbyllur me urgjencë këtë të hënë. Burime për “A2”thonë se prindërit janë njoftuar me urgjencë që të marrin fëmijët e tyre dhe për 14 ditët e ardhshme nuk do të mund t’i çojnë më aty. Kjo pasi pjestarë të stafit të këtij institucioni kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe do të vetë-karantinohen.

Lajmi është konfirmuar jo formalisht edhe nga zyrtarë të Bashkisë Tiranë, por nuk bëhet e ditur se kush dhe sa persona kanë rezultuar pozitiv. Tashmë kompetencat i kanë kaluar personelit shëndetësor, i cili do të merret me gjurmimin dhe testimin e rasteve të reja të mundshme.

Kujtojmë që sot, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 69 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, shifra më e lartë që nga nisja e pandemisë në Shqipëri.

/News31.al