“Më shqetëson shtimi i pacientëve të shtruar në spital”, Pipero zbulon pse është shtuar numri i të infektuarve

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka folur mbi shtimin e rasteve të reja me koronavirus në vend këto ditë, duke thënë se disa arsye janë lehtësimi i masave, mosrespektimi i distancimit social nga qytetarët, infektimi i bluzave të bardha dhe rritja e numrit të testimeve.
 
“Ka disa arsye po t’i rreshtonin do të thosha, e para është heqja e masave kufizuese, u liruan të gjitha masat. Besoj janë afërsisht 2 javë dhe me lehtësimin e masave ne prisnim një numër të shtuar rastesh se është e natyrshme. Besoj se nuk e justifikon vetëm lirimi, natyrisht duhej të shoqërohej, nuk do të thotë të mos kemi kujdes. Virusi qarkullon, dhe janë disa masa që duheshin vazhduar nga qytetarët.
 
Një arsye e dytë janë grumbullimet e njerëzve që koicidoi edhe me protesta. Së treti, vazhdon ende gjurmimi i rasteve të kontaktit dhe kësisoj është shtuar numri i tamponëve. Po t’i referohemi përqindjes së pozitiviteti është 10%. Një arsye tjetër është edhe numri i shtuar i rasteve pozitive midis bluzave të bardha dhe pacientëve jashtë spitalit i Infektiv. Kjo ka bërë që numri i rasteve të shtohet, por nuk na shqetësojnë rastet pozitive, do të ketë. Më shqetëson numri i shtuar i rasteve të shtruar në spital. Midis tyre një pjesë rastesh të rënda. Është një situatë që duhet analizuar. Besoj se thelbi i gjithë këtyre gjërave është mosrespektimi i të gjitha masave”, tha Pipero në studion e “ABC News”.