‘Shtet përdhunues’, ‘pedofilët e kanë vendin në burg’, muret e Tiranës mbushen me mbishkrime pas historisë tronditëse të 15-vjeçares
Në muret e kryeqytetit, pranë shkollave apo edhe tek Ministria e Arsimit, janë shkruar mesazhe denoncimi pas publikimit të rastit të abuzimit seksual që ndodhte me 15-vjeçaren në Babrru, nga Abaz Dogu dhe tre djem të tjerë bashkëpunëtorë.
‘Mos përdhuno”, “pedofilët e kanë vendin në burg e jo në shkolla”, “mësues mos hesht para përdhunimit”, “ti nuk ke faj, faj ka përdhunuesi”, janë disa nga parrullat e shkruara në mure.
Abaz Dogu dhe tre të rinjtë janë lënë në arrest me burg një ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, në të cilën ish roja i shkollës ku mësonte e mitura ka deklaruar se ajo ka shkuar me dëshirë me të për të kryer marrëdhënie.
“Nuk kam abuzuar asnjëherë me të, ajo ka ardhur vetë tek unë”, është shprehur i moshuari gjatë seancës së djeshme. Ndërsa tre të rinjtë e tjetër të akuzuar për këtë çështje, nuk kanë thënë asnjë fjalë rreth akuzave, veçse kanë qëndruar kokë ulur gjatë gjithë seancës. Shqyrtimi i çështjes nga ana e Gjykatës së Tiranës u bë me dyer të mbyllura.