“Më thanë se vetëm po të isha duke vdekur do shkoja në urgjencë”, flet nga spitali në SHBA aktori i infektuar

Në një lidhje direkte me emisionin “Zonë e Lirë” ka qenë Juliani, një shqiptar që jeton në SHBA dhe që është infektuar me koronavirus. Ai ka qenë në lidhje direkte nga spitali, ku ka treguar si po e kurojnë mjekët në Amerikë. “Ndodhem në Connecticut, jam në ditën e pestë në spital. E kam kaluar gjendjen e rëndë, jam në rënie të lehtë, duke u përmirësuar”, ka thënë Juliani. Ai ka treguar se para se të vinte në spital ka qëndruar 6 ditë në shtëpi.

“Tre ditët e para m’u duk si ftohje e lehtë. Ditën e katërt ndjeva vështirësi në frymëmarrje, më thanë të shkoja në urgjencë, bëra testin, dola pozitiv. Më thanë shko në shtëpi, por unë u ndjeva më keq. Më dhanë ibuprofen, por ishte gabim se ishte shumë i keq. I thash po bëhem keq, duhet të vij në urgjencë por më thanë se vetëm nëse je duke vdekur do vish këtu. Mora doktoreshën time personale dhe lash takim. Kur shkova në takim, ajo po më fliste dhe çdo sekondë që kalonte, po fikesha. Më mori dhe më ka sjellë në urgjencë, e cila është vetëm për Covid-19,”- tha ai.

“Di gjë me çfarë mjekimi të kanë mjekuar?”, e ka pyetur Pipero.

“Tani kam marrë hidroksilklorokine dhe oksigjen. Më kanë bërë gjilpërë për hollim gjaku. Të gjitha simptomat e mundshme i kam pasur në të njëjtën kohë”, është përgjigjur Juliani, ndërsa ka shtuar se nuk ka asnjë sëmundje kronike.“Cigarja elektronike më jepte pak disavantazh”, ka thënë ai.

“Tek ne nuk ndodh që të shtrojmë në spital kur je në rrezik për të vdekur. Kam mjekuar në distancë nga këtu disa raste në Amerikë, kam këshilluar mjekët atje sepse mjekët që kanë qenë në spital kanë thënë se nuk janë specialistë, të paktën ata që kam komunikuar unë. Kjo që i ka ndodhur Julianit i ka ndodhur dhe të tjerëve, kështu që këtë e solla për të dëgjuar juve, por dhe  unë, për të dëgjuar çfarë ndodh në Amerikë”, ka thënë Pipero. “Juliani ka 5 ditë që mjekohet, mbas 2-3 ditësh do bëj tamponin atje, shërohet dhe besoj për 3-4 ditë del nga spitali”, ka thënë Pipero.

“Më thanë për të dalë këtë fundjavë, por u thashë se nuk dua të dal pa qenë i sigurtë. Luftën pa kanë luftuar me shurupa. Momentin e parë që dola pozitiv, mora në telefon familjarët dhe u kërkova të dezinfektonin çdo gjë. Ata i kanë bërë sot testet, do i marrin përgjigjet pas tre ditësh”, ka thënë Juliani.

Marrë nga ZONEELIRE.AL