Flet Skënder Brataj, tregon kur mund të përfundojë pandemia e koronavirusit në Shqipëri

Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare, ka thënë së fundmi se fundi i pandemisë së koronavirusit në vend do të shënohet kur të mos ketë më të infektuar dhe transmetim komunitar.
Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, Brataj ka thënë se kjo shënohet me uljen e thirrjeve drejt numrave të urgjencës për koronavirusin dhe me qytetet ku nuk janë shënuar raste me Covid-19 për disa ditë.
“Nëse sakrifikojmë edhe pak nga liritë tona, nga ekonomia… Kur? kur nuk ka më infeksion, kur nuk ka transmetime komunitare ky është fundi. Unë e lidh me uljen e thirrjeve drejt 127, direkt për Covid-19 me numrin e thirrjeve te 0800 40 40, por mbi të gjitha kur shoh listën e qyteteve që nuk prezantojnë infeksion për disa ditë është pozitive”, u shpreh Brataj.
Ai ka thënë se lehtësimi i masave mund të sjellë transmetimin e infeksionit nga Tirana në qytete që momentalisht nuk kanë asnjë rast. Por ai ka theksuar se nëse njerëzit respektojnë masat dhe ruajnë distancën, gradualisht do shkojmë drejt hapjes së vendit. “Është rreziku që po liruam lëvizjen ndërqytetase do shkojë nga Tirana. Prandaj duhet të bashkëjetojmë dhe të përgatitemi mendërisht.
Nëse është një përqindje e ulët deri në 4 Maj sepse në një mënyrë apo tjetër imunizimi i popullsisë do të vijë. Kur vijmë në një përqindje që thuhet se mund të lëvizet lirshëm mund të jetë drejt verës patjetër”, tha Brataj.