FOTO/ Humbi jetën pasi luftoi me sëmundjen e rëndë, amaneti i fundit që la regjisori dhe aktori i madh Rikard Ljarja
Regjisori dhe aktori i madh Rikard Ljarja është ndarë sot nga jeta pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
Lajmi është konfirmuar nga burime te Gazetës Panorama të cilat thanë se aktori i mirënjohur, bashkëshorti i aktores Marjeta Ljarja, frymën e fundit e dha në banesën e tij në Tiranë.
Familja Ljarja ka falënderuar mjekët për përkujdesjen që i kanë kushtuar aktorit në ditët e përballjes së tij me sëmundjen e rëndë, e cila e mposhti të madhin Rikard Ljarja, që ka bërë për vete shqiptarët me rolet e tij në kinematografinë shqiptare.
Panorama mëson se aktori do të prehet në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.
Ky ka qenë edhe amaneti i fundit që ka lënë regjisori dhe aktori i madh shqiptar. Vdekja e tij përkon me një moment të pazakontë për vendin, ku për shkak të izolimit nga kufizimet e vendosura për shkak të koronavirusit, ceremonitë mortore bëhen vetëm nga familja pasi nuk lejohen grumbullime të mëdha.
Rikard Ljarja do të mbahet mend si aktor protagonist në shumë filma, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës”, “Dueli i heshtur”, “Ndërgjegjia” dhe si regjisor e aktor në filmin “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë” etj. Ai ka krijuar mjaftë personazhe në filmat e tij që kanë mbetur në fondin e kinematorgrafisë shqiptare.