Fero gjeti kohën më të papërshtatshme t´i bënte “diss” Noizyt, ky i fundit përgjigjet nga WC-ja

Okay, sigurisht që të gjithë në këtë kohë janë duke qëndruar në karantinë dhe po zbatojnë rregullat e distancimit social, pothuajse të gjithë domethënë, ndërkohë që ndjekim me vëmendje zhvillimet nga situata me Covid-19. Megjithatë jeta vazhdon krejt normalisht për disa, madje me ritëm më të shpejtë se të tjerët dhe këtu po flasim për Feron.

Reperi ka publikuar këngën e re që titullohet “1 e keni” dhe le të themi që ky projekt në mos i gjithi, një pjesë e tij, është një “diss” për Noizyn. Më saktësisht, në një pjesë të tekstit Fero thotë : “M’shtinet apet tash s’ko mu nal haha/Qysh ti reper ke bo muzik me motrat Mustafa” dhe e ka fjalën që bashkëpunimin e Noizyt me Motrat Mustafa për këngën “Për flamur”. Natyrisht që pasi të gjithë e hapën dhe e dëgjuan këngën vetëm për këtë fjali, reperi ndjeu të nevojshme të sqaronte se në fakt diss-i nuk ishte për Motrat Mustafa, por për atë që e dimë të gjithë se cili është. Nejse, askush nuk mendoi se ishte drejtuar atyre kështu që nuk ishte nevoja…

Gjithsesi, Noizy, që këto kohë është personifikim i shprehjes “shof punën time”, pasi u përmend në këngë, reagoi duke postuar një foto të një WC-je dhe duke thënë “Do doja shumë që t´ja vlente të harxhoja kohën time me ty”.

Pra e kuptuat të gjithë postimin, që në fakt është si një përgjigje përfundimtare nga ana e Noizy-t, duke thënë se nuk ka ndërmend të përfshihet në këtë situatë sepse thjesht nuk ja vlen.

Ah, mund të përmendim gjithashtu se dhe Stresi e pa të arsyeshme që të thoshte diçka në lidhje me “diss”-in, më saktë të qeshte me të.

Nuk e dinim që përveç pazareve për ushqime dhe ilaçe në këtë kohë karantine lejoheshin të vazhdonin dhe diss-et, megjithatë ja ku jemi.

News31.al