Olti Curri: Haters janë të magjepsur nga liria ime!

Për filozofin e shkrimtarin e famshëm që provoi dhe gazetarinë, Albert Kamy, “liria absolute është e drejta e njeriut të fortë për të dominuar”. Ndërsa për  Olti Currin, personazhin mediatik më dominant që dashuron të vërtetën, liria është drita e fortë që mund t’i magjepsë ata që e urrejnë, ngaqë s’mund të jenë si ai. Nuk ka karantinë që e kufizon zërin e një mendjeje dhe shpirti të lirë, ndaj në këtë intervistë ekskluzive për revistën “Story”, Olti  na njeh me “apologjinë” e tij si personazhi public që u ngjit në majën e piramidës VIP dhe shkëlqen si yll!

Olti Curri në karantinë, e kishe imagjinuar ndonjëherë veten në këtë “arrest shtëpie” për shkak të pandemisë që po konsiderohet “Lufta III Botërore”?
Jam shumë i tërhequr nga dokumentarët historikë, dhe sa hera shikoja histori nga Lufta I Botërore dhe II Botërore, mendoja kaq ishin luftërat botërore? Si do të ishte nëse brezi im do ta përjetonte një luftë të tretë! Por kësi lufte të padukshme, jo.

Ç’ndodh në karantinën tënde, dhe si bloger ndjekësit në rrjetet sociale për cfarë të pyesin më shumë?
Unë komunikoj shpesh me publikun dhe vazhdoj të flas për gjithçka, sigurisht për virusin pak më shumë, por jo duke e bërë kryefjalë sepse duhet të mendojmë për jetën nesër. Plot diell.

Ke një histori personale për ta rrëfyer në këto ditë karantine?
Asgjë për t’u shënuar, përveç faktit që nuk dua të shoh libra me sy dhe gatime. Po kaloj karantinën duke folur duke komunikuar me njerëz në telefon, skype. Më shumë me ata që kisha kohë pa folur. Pak pushim na bëri mirë.


Si një opinonist i “Big Brother” prej vitesh, kush mendon se janë të nominuarit e kësaj karantine shqiptare?
Rama. Loja e tij me këtë tragjedi është mizore.

Me qëndrimet e tua publike të një opozitari të vërtetë me gjithçka dhe gjithkënd në këtë vend mendon se je shndërruar në një Covid-19 që i frikësohen të gjithë, apo një vaksinë pa të cilën s’ fiton dot imunitetin e personazhit publik?
Sigurisht një vaksinë. Kush bën profesionin tonë duhet të bëjë disa vaksina, por për fatin e tyre këtu në Shqipëri ka vetëm një Olti Curri, se të ishin në botë do bënin vaksina të shumta dhe me age të trashë.

I angazhuar me projekte televizive si “Top talent”. Si një opinionist i zoti dhe që s’ta përton, nëse do të ishe në vendin e të gjykuarit cfarë përgjigjesh do i ktheje Olti Currit përballë teje?
E kam gjykuar dhe kritikuar aq shumë Oltin, sa në këtë kohë kam rënë në paqe me të. Ia njoh difektet dhe talentin, ndaj jam i bindur që meriton një “Bravo!” të madhe që krijoi një stil komunikimi modern në media.

Ç’marrëdhënie ke me fëmijët duke qenë se ata jo rrallë të bëjnë të ndezësh butonin jeshil?
Mendoj që fëmijët janë specialë. Nipi im, Alen më bën ta besoj këtë gjë sepse çdo ditë ndryshon dhe artikulon gjëra të reja. Ata nuk mendojnë strategji, dhe thonë atë që mendojnë. Unë jam pak Peter Pan, dhe me fëmijët shkoj për mrekulli.

Nga “Posta e zemrës” vite më parë tek “Përputhje” në “Top Channel”. Ç’sheh interesante në lidhjen e dy të panjohurve, dhe beson tek jetëgjatësia e historive të tilla?
“Posta e zemrës” bëhej në radio dhe ishte 100% e vërtetë dhe reale. Ndërsa “Përputhen” duke qenë se bëhet në televizion, mendoj se i shtyn pjesëmarrësit të aktrojnë me shpresën që të rrinë sa më gjatë në ekran.

Ke plan të bësh një emision tëndin televiziv, dhe si mund të ishte formati?
Një show të tipit te “Chiambretti Night”, por që ka shumë kosto dhe bazohet tek vërtetësia jetësore e personazheve publikë. Këtu tek ne ka vetëm personazhe me filtra, mitomanë dhe pa ndonjë talent të madh.

Thellësia e mendimit dhe analiza që u bën fenomeneve apo situatave të bën rezistent ndaj njerëzve që s’munden ta kuptojnë dot filozofinë tënde. Si mund të niste dhe të përfundonte “Apologjia” e Olti Currit”?
Kam arritur suksesin maksimal që mund të arrijë një personazh publik, duke e ndarë publikun në gjysmë. Gjysma më adhuron dhe gjysma më urren. Unë nuk jap mesazhe. Unë tregoj ngjarje reale dhe mbaj qëndrim, nuk më pëlqen të jem i paanshëm. Paanësia është shenjë dobësie. Ata që duan që unë të shtirem, nuk janë publiku im, por janë të magjepsur nga liria ime dhe më ndjekin sepse shohin tek unë atë që nuk janë vetë.

Nëse pyetësorin e famshëm të Prustit do e zëvendësonim me “Pyetësorin e Oltit”, cilat do të ishin tre pyetjet më të paskrupuj që mund t’u bëje personazheve të famshëm?
Ç’ju shtyn të gënjeni?
Do shisje më lehtë trupin apo shpirtin?
Talentin e kujt kolegu do të doje ta kishe?


Ke bërë një listë të miqve dhe armiqve VIP, sa ka shkuar lista dhe mund të përmendësh ndonjë emër?
Unë nuk kam armiq, sepse nuk kam kaluar kurrë te personalja. Ndoshta ata që duan vetëm lëvdata më konsiderojnë armik, por unë komentoj për shfaqjet e tyre publike, jo per atë që bëjnë brenda mureve të shtëpisë.

Ku mbaron morali dhe ku nis degjenerimi tek personazhet e ashtuquajtur VIP-a shqiptarë?
Ka kaq pak moral aktualisht në shoqërinë shqiptare sa duhet të jesh idiot ta kërkosh në një biznes si spektakli, që njihet për egocentrizmin dhe dëshirën për të arritur me çdo çmim paturpësie.

Një talent i bukur i yti është poezia. Beson realisht tek dashuria në këtë epokë konsumi, dhe nga tekstet e tua, cilin do të veçoje për vargjet që ia ke dedikuar vetes apo dikujt?
Besoj tek dashuria, por tek ajo që vjen dhe të përfshin vetë. Jo tek dashuria që e kërkon me ngulm çdo ditë dhe kudo. Një nga vargjet është tek “Asnjëherë”: “Unë i fsheha lotët dhe kujtimet, në një vend ku kurrë mos t’i kërkoj”.

Ndjehesh i pasur, më saktë ke arritur në atë pikë që mund të jetosh pa punuar?
Jo. Sa më shumë punoj për këtë gjë, aq me shumë e kuptoj që duhet të punoj më shumë. Por nuk lodhem, sepse bëj punën që dua.

Nëse do ishte protagonist i “Sex and dhe City”, me cilën prej mikeshave do të shoqëroheshe në jetë reale, po në “La casa de papel” e gjen veten tek ndonjë personazh apo situate e komplikuar?
Ndoshta me Samantën tek “Sex and the City”, sepse ato të tjerat bëjnë shumë filozofi.
Ndërsa tek “La casa de papel”, sigurisht me Tokyo dhe Profesorin.


Postimet e tua me hashtagun #Olti nuk flet kot” janë bërë si slogan tashmë. A mos ndoshta për të qenë ok me ndjekësit duhet t’ia fusësh kot ndonjëherë?
Edhe kur ja fus kot, më del fjala. Jam bërë i mërzitshëm duke paraprirë gjithçka. Ndoshta ngaqë kam punuar gjatë në këtë biznes, dhe kam parë shumë, e kjo më ka bërë që intuita të jetë në maksimum.


Një djall si ty, zgjedh engjëj për shoqëri apo të ngjashmit e vet?
Vetëm të ngjashmit. Me engjëjt zbavitemi nga larg.

Sa kushton shpirti yt, e sa mund t’ia shesësh shpirtin një djalli tjetër?
Djalli tjetër është shumë i varfër për të paguar shpirtin tim.


Nëse politika do të ishte një xhungël, nën lëkurën e cilës kafshë do të doje të bëheshe pjesë e saj?
Gjarpër, sigurisht respektin e merr nga puna ose nga frika. Sidomos në politikë duhet të të kenë frikë.


Të jep më shumë emocion një jetë e jetuar mes atyre që të urrejnë apo atyre që të duan?
Unë jam shumë komod me veten. Pasi nuk urrej. Se çfare bëjnë të tjerët nuk kam ndërmend të merrem.


Dhe një pyetje e fundit, çfarë pi që je gjithmonë energjik e s’të shpëton asnjë detaj?
Esëll jap rezultat. Nëse pi, filloj kërcej e këndoj e nuk e kam mendjen te puna. /www.story.al