Blendi Fevizu dhe “Opinion” bëjnë gjestin simbolik për stafin e Spitalit Infektiv, ku po trajtohen të prekurit me Covid-19
E kemi thënë gjithmonë dhe do vazhdojmë ta themi pa hezitim se heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve janë padyshim mjeket, infermierët dhe i gjithë stafi ndihmës i spitaleve, që gjenden në vijën e parë të luftës me Covid-19. Momentalisht në Shqipëri dy janë qendrat e shëndetësisë ku po trajohen pacientët e prekur nga virusi, në Spitalin Infektiv në QSUT dhe në Spitalin ”Shefqet Ndroqi” në Senatorium. Jo vetëm që punonjësit e shëndetësisë kanë lënë familjet e tyre për t´u gjendur pranë atyre që kanë nevojë, por janë dhe më të rrezikuarit për t´u infektuar nga koronavirusi, kujtojmë rastet e doktorëve Dhimitër Kraja, Skënder Brataj apo Roland Xhaxho.
Për t´i ndihmuar sadopak, qoftë edhe për një moment, moderatori Blendi Fevizu dhe stafi i “Opinion” kanë menduar që ditën e sotme të ofrojnë drekën për 100 mjekët, infermierët dhe punonjësit sanitarë të Spitalit Infektiv. Momentin moderatori e ka shpërndarë në Instagram, ku krahas fotove nga Infektivi, bashkangjit dhe një thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë mjekët, të cilët meritojnë respektin tonë maksimal në këtë kohë të vështirë.