Reanimatori nga Italia: Bëni kujdes, Covid-19, nuk ka plan B!
Dje në drekë, Alban Beltoja, mjek anestezist-reanimator në Spitalin e Lodit, qyteza pranë Milanos e cila ishte vatra e Covid-19, më mori në telefon. Megjithëse foli në emisionin e të mërkurës në një intervistë të shkurtër, duke parë pamjet e Shqipërisë dhe dinamikën e sëmundjes, donte rishtas që të tërhiqte vëmendjen e bashkëkombësve dhe unë të transmetoja fjalët e tij. Ja çfarë më tha!
“Po shfrytëzoj 10 minuta pushim pasi e kisha merak të telefonoja. Po ndjek situatën në Shqipëri dhe shikoj që njerëzit janë të papërgjegjshëm. Jam shumë i shqetësuar. Dynden në supermarkete. Tek ne ka këtë përhapje megjithëse njerëzit ruajnë distancën, imagjinoni çdo bëhet te ju.
Mos mbani shpresë te sistemi spitalor. Ne falimentuam dhe çdokush do të falimentojë përballë atij fluksi.
Nuk ka rëndësi sa ventilatorë keni, pasi keni pak mjekë të trajnuar për t’i përdorur për këtë sëmundje. Por edhe nëse i keni të dy këta komponentë, pak njerëz do të arrijnë të marrin shërbim. Aktualisht ne këtu kemi 20 pacientë që kanë 15 ditë që nuk përmirësohen dhe nuk e lënë vendin e terapisë intensive. Të tjerët që vijnë duhet të vuajnë. Kush shpëton, shpëton, kush nuk ia del, paqja qoftë me të.
Ju ende nuk po bëheni të vetëdijshëm sesa vuajtje ka kjo sëmundje. Një 20-30-vjeçar e përballon falë fizikut. Një 50-vjeçar del i shkatërruar nga mushkëritë pas terapisë intensive. Ndërsa 60-70-vjeçarët kanë pak mundësi të mbijetojnë.
Unë nuk e di sesi do ia dilni, por keni vetëm një shpresë, të mos e takoni virusin. Nuk ka plan B. Asnjë shtet nuk ka një plan B. Por nëse Perëndimi po ia del ta amortizojë goditjen, tek ju do të jetë një masakër. Ndaj bëni kujdes! Nëse do të takoheni një ditë me virusin, nuk do t’ju bëjnë punë as paratë dhe as njohjet.”/dritare.net