Modelit të “Big Brother” i ndryshon jeta në SHBA: Pas martesës me drejtoreshën, tani pret fëmijën e parë

30-vjetorin e festoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, afër personit të zemrës. Modeli shtatlartë i “Big Brother”, Ervin Zyfi vitin e kaluar i dha fund beqarisë me drejtoreshën e Burimeve Njerëzore, e cila së shpejti do të sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë. 

Edhe pse nuk e mohon që të celebrohej ishte një vendim i vështirë, ai thotë se ndihet me fat, pasi kjo histori e bukur dashurie i ndryshoi jetën, sepse do t’i japë kënaqësinë e statusit të babait për herë të parë.

Për ndryshimin e statusit në moshën 30-vjeçare dhe fëmijën e planifikuar, Ervini ka folur në një intervistë për “Panorama Plus”.

Martesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si do e përshkruante jetën e re? 

“Jetë e re, status i ri. Një ndjesi që nuk e kisha provuar më parë, diçka e re, plot emocione e përgjegjësi të reja, puna për të arritur diçka, gjithashtu puna për t’u integruar. Unë nuk kam shumë që jam transferuar në SHBA dhe mund ta them që fillimi ishte i vështirë të lëvizësh me lagje e jo më të lëvizësh në një kontinent tjetër si SHBA. Por faleminderit Zotit që kam në krah një person të mrekullueshëm!”- tha ai.

Ervin-2

Nëse u mendua gjatë për marrjen e këtij vendimi, ai shprehet: “Përtej shakave, t’ju them të drejtën vendimi është i vështirë për t’u marrë, sepse është hap i madh. Por për ne të dy gjërat erdhën gradualisht me njëri-tjetrin. Mund të them se kapitulli që kam mbyllur, e kam mbyllur pa pishman. Kështu që, isha gati për një ndryshim të tillë në jetën time”. 

Në lidhje me jetën e re në Amerikë, ai shprehet: “Unë jetoj në New Jersey dhe sa dal nga shtëpia, përballë kam një pamje të mrekullueshme të Manhattan. Ky është një lloj frymëzimi për të filluar ditën. Punoj e jetoj mirë. Ëndrra amerikane thonë se është një jetë më e mirë, më i pasur dhe më i plotësuar. Unë i kam të gjitha këto dhe mund të themi që po e jetoj këtë ëndërr”. 

Edhe pse jeton në SHBA, duket se ish-modeli ka ndjekur hapat e një çifti tradicional.

Në lidhje me këtë, Zyfi përgjigjet: “Bashkëjetuam, u fejuam, u martuam. Hapi i radhës ishte fëmija. Jo pa qëllim morëm shtëpi me shumë hapësirë, pasi kjo ishte ajo që menduam. Të marrim këtë shtëpi se nesër bëhemi me fëmijë dhe kur të vijë momenti duhet të ishim të përgatitur”. 

Ervin-3

Por çfarë thotë ai për partneren bionde, që i ka rrëmbyer zemrën?

“Për mua ajo është unike, sepse ndodh rrallë të takosh një person që i ka të gjitha vetitë e mira të mbledhura bashkë; besimi, sinqeriteti, respekti, komunikimi, kompromisi, siguria. Është një person i fortë e këto veti ia ka transmetuar edhe marrëdhënies sonë, duke e bërë unike edhe atë. Është me fat dhe jam me shumë fat që e kam në krah. Me të lumturia dyfishohet dhe mërzia përgjysmohet,”- shprehet Ervini.

Sa për jetën e re në SHBA dhe nëse ndonjeherë është mërzitur nga ritmi atje, Ervini shprehet: “Jetën e bën si të duash, jo vetëm në Amerikë, por në çdo vend të botës. Mund të them që e kemi në dorë vetë. Dhe në Amerikë janë të gjitha shtresat, nga bilionerët, tek endacakët e pastrehë. 

Ne si komunitet jemi shumë punëtorë dhe nuk ka shqiptar endacak. Ka nga ata që punojnë nga 20 orë, ka nga ata që punojnë 8 orë, ka nga ata që nuk punojnë më se e kanë siguruar të ardhmen. Unë punoj dhe po e shijoj jetën, pasi nuk po bëj vetëm punë. Kështu e kam zgjedhur ta bëj jetën time. Fillimet normalisht janë të vështira dhe duhet të punosh që të arrish diçka.”