Adrola Dushi braktis Amerikën për ish-kandidatin për deputet, nis bashkëjetesën me biznesmenin

Fiks për Shën Valentin, modelja Adrola Dushi dhe rokeri Eugent Bushpepa u prezantuan si çift i dashuruar brenda 4 minutave të klipit të ri të artistit, me titull “Stay with me tonight”. 

E pas aludimeve se mes tyre kishte nisur një romancë, përderisa nuk i kursyen puthjet dhe përkëdheljet në publik, mediat e Kosovës zbulojnë historinë e re të dashurisë së modeles me Albin Gashin, ish-kandidatin për deputet të Lëvizjes Vetëvendosja, në Kuvendin e Kosovës.

Madje, nëna e një djali nga martesa me Adis Patushin, për dashurinë ka lënë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të nisur bashkëjetesën në Prishtinë me të dashurin e ri, një brun simpatik i komentuar jo pak vitin e kaluar në politikën e Kosovës.

“Magazina.al” shkruante se Adrola 27-vjeçare ka nisur një lidhje me Gashin, ishkandidatin 31-vjeçar për deputet në Kuvendin e Kosovës. Sipas së njëjtës media, Adrola dhe Albini janë fotografuar së bashku në Prishtinë dhe janë parë shpesh në publik duke u prezantuar te miqtë si partnerë të vërtetë, që e kanë marrë shumë seriozisht këtë lidhje mes tyre.

Madje, në disa komente thuhet se Adrola ka rënë kokë e këmbë brenda, pasi ka lënë jetën e vështirë dhe plot sakrifica në SHBA, për t’u rehatuar pranë të dashurit të ri biznesmen dhe politikan, djali i avokatit të njohur Tomë Gashi, i cili ka mbrojtur Albert Veliun, i njohur ndryshe si “Babalja”.

Kujtojmë që pak kohë më parë, e pyetur nëse është në një lidhje dashurie me një djalë nga Kosova, modelja zgjodhi t’i përgjigjej në mënyrë diplomatike, duke thënë: “Po kontribuoj në bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë”. 

Burime të afërta pranë çiftit kanë treguar për “Magazina.al” se për lidhjen e tyre janë në dijeni dhe të afërmit, ndërkohë që janë duke bërë plane për një fejesë të afërt. Madje, mediat e Kosovës kanë bërë pak lojë fjalësh me këtë ndryshim në jetën e Albinit, i cili nuk pati fatin të bëhej deputet në zgjedhjet e fundit, por pati fat në dashuri. Kujtojmë se Adrola Dushi ishte e martuar me djalin e një biznesmeni, Adis Patushin, me të cilin ka një djalë, Troin, ndërsa Albin Gashi nuk është komentuar ndonjëherë për ndonjë lidhje VIP.

Flitet se ata janë njohur në SHBA, ku Albini ka ndjekur studimet e larta, ndërsa Adrola u vendos bashkë me djalin për të ndjekur ëndrrën e saj si modele.

KUSH ËSHTË ALBIN GASHI, ISHBASKETBOLLISTI DHE POLITIKANI QË SOT KA KOMPANINË MË TË MADHE PËR KONCERTE

Po kush është Albin Gashi, djali shtatlartë nga Prishtina, që ka nisur një lidhje serioze me vajzën nga Rrësheni, Adrola Dushin, e cila në vitin 2012 fitoi titullin “Miss Universe Albania”. Albin Gashi lindi në vitin 1989 në Prishtinë.Ai nisi studimet në San Diego, Kaliforni, për t’i përfunduar më pas në “Fordham University” të Nju Jorkut për Studimet Ndërkombëtare.

Si basketbollist i zoti, Albin Gashi, me bursë të merituar vazhdoi vitin e fundit të shkollës së mesme në Dallas të Teksasit. Gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara themeloi kompaninë “Powow Entertainment”, që theu rekordet e aktivitetit kulturor të mbajtur në Kosovë, duke organizuar koncertet e shumta të këngëtarëve të njohur në botë.

Vullneti i tij për zhvillimin e Kosovës e ktheu Albinin në Kosovë në vitin 2014, kur edhe e themeloi kompaninë “Omelink”, e cila merret me “Business Processing” dhe “Outsourcing”, kështu duke hapur vende të reja të punës.

Allbin Gashi, djali i Tomë Gashit, iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuesit e së cilës e prezantuan kështu hyrjen e tij në radhët e saj: “Në qershor 2017 u dyfishuam si VETËVENDOSJE, kurse në shtator 2019 u dyfishova si Albin. Albin Gashi na u bashkua në Lëvizje dhe është në listë të VETËVENDOSJES si kandidat për deputet të Republikës. I lindur në vitin 1989 në Prishtinë, Albini vijoi mësimet e shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, u shqua si basketbollist i talentuar dhe me këtë rast, në vitin 2008, me bursë meritore vazhdoi vitin e fundit të shkollës së mesme në Dallas, Texas. Filloi studimet në San Diego, California, dhe i përfundoi ato në Fordham University në New York, NY, si i diplomuar për Studime Ndërkombëtare. Gjatë studimeve themeloi kompaninë Powow Entertainment, që theu rekordet e aktivitetit kulturor të mbajtur në Kosovë, ku mbi 25 mijë persona ishin në stadiumin e Prishtinës. Shpresa e potencialit për zhvillimin e Kosovës e ktheu Albinin në Kosovë në vitin 2014, ku e themeloi kompaninë Omelink për Business Processing Outsourcing, në të cilën ndër vite punësoi mbi 300 persona. Njihem moti me Albinin. Do të punojmë gjatë bashkë. Do të korrim shumë fitore. E para në radhë është me 6 tetor.” 

Ndërsa vetë kandidati për deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Gashi, i ftuar në emisionin “DPT”, në “T7”, u shpreh: “E kam parë që Lëvizja ka qëndrime politike që përkojnë me realitetin në Kosovë dhe përshtatet me bindjet e mia. Unë kam studiuar në SHBA, pasi fitova një bursë meritore në shkollë të mesme. Kur u ktheva, u ballafaqova me realitetin kur kërkoja punë. Punëdhënësit mundoheshin të shikonin lidhjet me babanë tim dhe jo arritjet e mia, kështu vendosa të hap kompaninë time”. 

I lodhur nga komentet e tipit “djali i avokatit”, ai u shpreh se arsyeja se pse babai i tij, avokati Tomë Gashi, është simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje, është pikërisht ai.

Babai im ka filluar të përkrahë Lëvizjen, sepse unë kam qenë mbështetës i madh i saj”, ka thënë ai. Gjithsesi, ai tashmë është i interesuar më shumë për biznesin fitimprurës, që e bën të ketë një standard jetese të lartë.

ADROLA DUSHI, JETA E SHPEJTË E VAJZËS NGA RRËSHËNI/NGA SHTATZËNIA AKSIDENTALE NË MOSHËN 20-VJEÇARE, TE MARTESA E DIVORCI

Vajza e ardhur nga Rrësheni e që fitoi kurorën e “Miss Universe” në vitin 2012, është komentuar për hapat e shpejtë që hodhi në jetë, ku paralelisht me karrierën si modele ajo u bë dhe nënë e re në moshën 20-vjeçare. Shtatzënia stopoi planet e saj në modeling, për t’iu rikthyer pasi solli në jetë djalin.

Po si ndryshoi jeta e saj?

“Normalisht që ndryshoi shumë të ndryshon në gjithçka. Nëse para se të bëhesha nënë preokupimi më i madh ishte se ku do dilja, çfarë do vishja etj., tani preokupimi më i madh dhe përgjegjësia ime më e madhe është biri im, Troi”, është shprehur ajo në një intervistë për “Panorama Plus”.

Nëse ishte një shtatzëni e planifikuar apo aksidentale, ajo tregon: “Ishte e papritur sigurisht, pasi unë kisha plane krejt të tjera. Sapo isha shpallur Miss, kisha shkollën, po mendoja të shkoja në Amerikë të punoja e gjithçka tjetër, vetëm për t’u bërë nënë s’e mendoja. Por ndodhi dhe unë e pranova realitetin. Nuk jam aspak e penduar për çfarë më ka ndodhur, fëmija është bekim. Mund të them se ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Siç e thashë më lart, unë kisha plane krejt të tjera, m’u duk sikur më ra qielli mbi kokë. Familjen e kisha larg, edhe për bashkëshortin nuk ishte e lehtë. Ai, si një 24-vjeçar, s’i binte mendja të bëhej prind, duke bërë një jetë si të gjithë të rinjtë në kryeqytet, por më ka qëndruar pranë”. 

Pas martesës erdhi divorci, për të cilin Adrola pranoi të fliste publikisht shumë kohë pasi kishte ndodhur. Modelja shumë herë i kishte përgënjeshtruar lajmet, duke u shprehur se arsyeja e vetme pse ata nuk ishin bashkë ishte sepse Adisit nuk i kishin dalë dokumentet për të jetuar me të në Amerikë.

Mirëpo, siç duket lajmet për ndarjen e tyre më pas rezultuan të vërteta. E ftuar në “Xing me Ermalin”, Adrola e pranoi për herë të parë që ajo dhe Adisi nuk ishin më bashkë.

“Martesa nuk ishte gabim, por unë dhe Adisi ishim shumë të rinj. Nuk mendoj se është faji im, as faji i Adisit për ndarjen tonë. Është thjesht faji i situatës. Troi erdhi shumë herët në jetën tonë. Pse nuk funksionoi do ngelet mes meje dhe Adisit”, u shpreh Adrola.

E pyetur mos zgjodhi karrierën në vend të Adisit, modelja u përgjigj: “Jo, absolutisht. Gjëja që do zgjedh gjithmonë në jetën time është ndjesia e mirë, jo karriera. Karriera nuk të përmbush. Kishim arsyet tona që na sollën në këtë pikë”.

Por edhe pse të ndarë, Adrola tregon se ajo dhe ish-bashkëshorti kanë një marrëdhënie shumë të mirë dhe takohen për shkak të Troit.

 “Marrëdhënia jonë është shumë e mirë tani, aq sa na takon. Flasim me njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për Troin jemi gjithmonë bashkë. Nuk jemi ndarë me sherr e shamatë, kjo është gjë e mirë. Troi vdes për babin, për gjyshërit, takohen shpesh. Troit nuk i mungon as mami, as babi, as gjyshërit. Troi është ajo qershia mbi tortë në familjet tona”, përfundoi Adrola.

Ndërkohë, miqtë e tyre flasin se ajo është gati të hedhë një hap tjetër të rëndësishëm në jetë, pasi ka menduar të provojë sërish martesën, kësaj here me Albin Gashin. /Panoramaplus.al