NGA AKTORE E NJOHUR NË SHQIPËRI, NË PARUKIERE NË SHBA/ Si ka ndryshuar jeta e Pranvera Lumanit
Pranvera Lumani dhe Valentin Veizi kanë emigruar në SHBA në vitin 1998 dhe jetojnë në Boston bashkë me dy fëmijët e tyre.
Valentini vazhdon punën e tij si kompozitor në Boston, ndërkohë Pranvera prej 18 vitesh ushtron profesionin e estetistes dhe parukieres.
Valentin Veizi: Është atdheu i dytë. Ne jemi shqiptarë sigurisht dhe jemi krenarë. Ndihemi shqiptarë, por Amerika është vendi që na krijoi mundësi që ne të integrohemi dhe të krijojmë një familje me dy fëmijë, që janë shumë të suksesshëm për atë çfarë kërkojnë të bëjnë. Është vend që të jep mundësitë dhe është vend që të bën të ndihesh mirë.
Pranvera Lumani: Unë para disa viteve kisha një SPA, kishte shumë punë angazhim dhe thashë do marr diçka më të vogël. Kështu që kam një dyqan, punoj, kam disa vajza që punojnë për mua, bëj parukeri. Jam mirë!
Valentini tregoi se ishte zgjidha e Verës t`i përkushtohej totalisht familjes kur shkuan në Amerikë dhe të shkëputej nga aktrimi. Tani që ata kanë jetët e tyre, janë më të pavarur ajo mund të rikthehet me role sa herë të dojë.
Kurse Vera tregoi mes lotësh arsyen e vërtetë dhe ndjesinë e saj kur vendosi të shkëputej nga aktrimi.
“Unë mbeta shtatzënë me vajzën një vit pasi kishim shkuar në Amerikë. Dhe atje nuk është si këtu. Kur linda djalin këtu kisha mamin, motrat që më ndihmonin.
Këtu ta mban fëmijën edhe komshija, kurse atje është e pamundur. Unëe provova me disa aktivitete të vogla, por ishte e lodhshme të udhëtoja.
Pastaj edhe pse jam e qeshur jam shumë e ndjeshme. Sa herë mendoja për Shqipërinë, për mamin, babin, motrat, prekesha dhe thashë, unë duhet ta mbyll një kapitull dhe të nis një të ri”, rrëfeu Vera.
Dhe kanë kaluar aq vite që kur janë larguar (edhe pse në verë e kanë vizituar gjithmonë Shqipërinë) sa që janë bërë edhe gjyshër tashmë.
Djali i tyre është martuar dhe ka një vajzë dy vjeçe, Amadea, ose Dea siç gjyshërit e thërrasin.
Ajo di shqip dhe vdes për muzikë shqiptare. “Të bërit gjyshër është gjëja më e bukur në jetën tonë”, tha Vera që shtoi se e kanë pritur natyrshëm statusin e ri.
Kurse vajza e tyre është ende studente. Ajo studion për shkenca politike dhe është 20 vjeçe.
Këto janë gjithë të rejat që kanë ndodhur në jetën e dy artistëve që na kanë shoqëruar netëve të Vitit të Ri, Vera me humorin e saj dhe Valentini me muzikën.