“Më duhej të merrja vendime të vështira”, modelja Ilda Kroni ndahet me sherr nga ylli pasanik i Bollywood. Zbulohet arsyeja
Showbizz-i i botës indiane të Bollywood-it e shndërroi në telenovelën e lajmeve rozë para dy vitesh, historinë e dashurisë së aktorit më të pëlqyer të momentit, Ashish Kapoor, dhe modeles nga Shkodra, Ilda Kroni.
Ata konsideroheshin çifti i momentit, duke pushtuar kopertinat e revistave me fotot e tyre romantike, edhe pse kishin vetëm 8 muaj bashkë. Për karrierën si modele dhe ofertat nga kinemaja indiane, lidhjen me 35-vjeçarin Ashish Kapoor (që e njohim si Gautam Rode në serialin “Sarasvatichandra”) dhe të tjera sekrete për të depërtuar mes të famshmëve të Bollyvood-it , pjesëmarrësja e Shqipërisë në “Miss Universe 2014”, Ilda Kroni, i rrëfeu për herë të parë për gazetën “Panorama” fiks para dy vitesh, kur historia e tyre pushtoi mediat.
Por tashmë kjo lidhje showbizz-i ka përfunduar, pasi aktori indian Ashish Kapoor është ndarë nga modelja shqiptare, Ilda Kroni. Ashish Kapoor u bë i njohur në Shqipëri nga roli i Kabirit në serialin “Sarasvatiçandra”. Ai dhe Ilda prej kohësh nuk janë më bashkë, nuk kanë postuar më foto me njëri-tjetrin dhe madje, Ashish nuk e ndjek më Ildën në “Instagram”.
Por çfarë ndodhi që çifti i dha fund lidhjes së bukur që kishin krijuar, pasi kalonin 24 orë në 24 bashkë dhe madje e kishin bërë lidhjen familjare? Pas lajmeve që raportonin ndarjen e tyre, Ashish me një postim në “Instagram” ka vendosur të tregojë arsyen pse ata nuk janë më bashkë.
“Mund të jesh me dikë çdo ditë dhe prapë të mos e dish kush është ajo në të vërtetë, derisa vendosesh në një situatë ku duhet të marrësh vendime të vështira. Koha nuk e cakton vendin që ke në jetën e dikujt, rrethanat po”, shkruhet në postimin e aktorit.
Flitet se çifti janë konfliktuar për shkak të mosmarrëveshjeve dhe xhelozisë, ndërkohë që situata është bërë më e vështirë për faktin se ata ishin prezantuar te familjet e njëri-tjetrit. Pas vitesh jetese dhe karriere në Greqi, Ilda ka qenë pjesëmarrëse e garave të bukurisë apo modës në Shqipëri.
Më pas u vendos në Indi, ku dhe arriti të njihej nga afër me njerëz të famshëm dhe pasanikë në botën e Bollywood-it. “E vërteta është që më ka ndodhur të njoh disa nga puna që bëj. Kam pas disa bashkëpunime me të famshmit indianë, por më shumë pas lidhjes me aktorin Ashish Kapoor, i kam njohur shumë nga afër. Mund të them që janë shumë ndryshe nga si i njohim nga ekrani dhe me disa prej tyre kam kontakte”.
ILDA DHE KAPOOR, HISTORIA E SHQIPTARES ME PASANIKUN QË NISI NË NJË EVENT
Në fillim të vitit 2018, Ilda Kroni rrëfeu për gazetën “Panorama Plus” detaje nga lidhja e bukur dhe famoze me një nga yjet e serialeve indiane, që publiku shqiptar e ka njohur me rolin e tij në “Sarasvatichandra”.
“Jemi në një lidhje tetëmujore tashmë. Ne jemi njohur nga disa miq të përbashkët në një event, ku ishim të ftuar të dy. Aty lindi gjithçka”.
Pyetjes se “Kemi parë në rrjetet sociale që i dashuri ju bën shumë dedikime dashurie. A keni bërë plane të martoheni?”, ajo iu përgjigj: “Të dy besojmë që ku ka ndjenja, s’ka pse të fshihen. Ndërsa për martesë s’kemi bërë plane, sepse është një propozim që të vjen surprizë aty ku nuk e pret. Janë shumë gjëra që më tërheqin tek ai, por ato që unë vlerësoj më shumë janë thjeshtësia e tij dhe tendenca për t’i bërë të gjithë njerëzit e lumtur. Ashishi, edhe pse vjen nga familje e fortë dhe e pasur, asnjëherë s’e ka përdorur, por ia ka nisur karrierës së tij vetëm dhe nga e para. Dhe në këto momente arritjet e tij janë shumë të mëdha, kështu që pa diskutim është djalë i fortë dhe i pavarur”.
Pyetjes se sa e ndjente ndryshimin e kulturave kur takoheshin me të afërm apo kur dilte me shoqërinë e një aktori kaq të njohur në Indi, ajo i përgjigjej: “Ndryshimet e kulturave sigurisht janë të shumta, por kultura e tyre është shumë pozitive dhe optimiste, ndërsa të afërmit dhe shoqëria e tij janë shumë të ngrohtë me mua”.
Në lidhje me pagesat e saj si modele, ajo tregoi: “Sa për pagesat e mia, ato janë të larta dhe shumë të mira, ngaqë agjencia që punoj gjithmonë bën një promovim shumë të mirë mbi punën time. Ofertat këtu janë të shumta, por akoma s’e kam vendosur nëse nga modele të kthehem në një aktore, ose t’i bëj të dyja njëkohësisht. Për momentin po punoj për përvetësimin e gjuhës”.
Lind pyetja: Jashtë punës, a ia kalon bukur në Indi dhe çfarë nuk i pëlqen në stilin e jetës indiane një vajze shqiptare si ajo?
“Jeta këtu është shumë ndryshe, por më pëlqen, se gjithmonë në çdo shtet shoh gjërat që më bëjnë të lumtur”, ka pohuar ajo. Ndërkohë pas ndarjes, Ilda ka shtuar postimet e saj si modele, duke u treguar ndjekësve se jeta e saj vazhdon njësoj si më parë. /Panoramaplus.al