“I dashuri i parë donte të më trafikonte, i dyti më rrihte”- Historia e trishtë e gruas: Kur isha 17-vjeçe mora vesh që isha e adoptuar dhe…
Një 36-vjeçare ka treguar historinë e saj të pabesueshme, ndërsa tha se jeta nuk është treguar aspak bujare me të në këto vite. Nga adoptimi, trafikimi dhuna etj., ajo ka rrëfyer gjithçka në emisionin “Ka një mesazh për ty”.
Danita tha kur ishte 17 vjeç zbuloi se ishte e adoptuar. Për një periudhë të gjatë kohe iu lut mamasë që e kishte rritur t’i tregonte të vërtetën për mamanë biologjike, por ajo gjithmonë refuzonte.
Një ditë, Danita vendos të largohet nga shtëpia dhe sëbashku me të dashurin që ishte në një lidhje prej 3 vitesh vendosën të shkojnë në Itali, pa e ditur se çfarë e priste.
Kur shkoi aty kuptoi se i dashuri e kishte çuar në Itali me synimin për ta trafikuar. Fatmirësisht arriti të shpëtojë dhe shkoi e denoncoi në polici. Nga frika që kishte prej tij nuk doli nga shtëpia për një vit dhe gjithashtu për 15 vite nuk u kthye në Shqipëri.
Danita: Unë me këtë djalin kemi shkuar në Itali.
Ardit Gjebrea: Me çfarë?
Danita: Kemi shkuar siç shkonin atëherë me gomone, por nuk e dija çfarë më priste atëherë sepse ai kishte arsye që më solli në Itali. Sepse donte të më trafikonte. Më falni.
Ardit Gjebrea: Nëse ka një gjë të rëndë që një njeri mund të bëjë në jetë është pikërisht kjo gjë.
Danita: Fatmirësisht, unë i kërkova ndihmë një zotërie dhe kam shkuar direkt në kuesturë, sepse atë gjë që kishte ai ndërmend ta bënte, unë nuk mund ta bëja. Sepse një gjë është kur ti do ta bësh me dëshirë një gjë e bën me dëshirë, por kur të detyrojnë dhe ti nuk je tip që mund ta bësh atë gjë gjen gjithë mënyrat për të shpëtuar.
Ardit Gjebrea: Dhe ti shpëtove?
Danita: Unë shpëtova, shkova në kuesturë edhe..
Ardit Gjebrea: E denoncove?
Danita: E denoncova, por nuk di ku është, ku s’është dhe unë për 15 vjet nuk kam ardhur në Shqipëri sepse kam pasur frikë.
Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk di asgjë për atë njeri? Jeton, nuk jeton? Është në burg? Ka shpëtuar?
Danita: Nuk di asnjë gjë!
Ardit Gjebrea: E ka vrarë ndërgjegjja? Paguan për atë që ka bërë apo jo?
Danita: S’ma merr mendja sepse nëqoftëse atë e vret ndërgjegjja, nuk mund as të merrte guximin dhe të më sillte mua në Itali, edhe të mendonte të bënte gjëra kështu.
Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk u ktheve për 15 vite në Shqipëri?
Danita: Nuk u ktheva për 15 vite!
Ardit Gjebrea: Çfarë bëre?
Danita: Kuestura më çoi në një shtëpi, si i thonë në Itali “casa famiglia”, që është një përgjegjës me gruan, kanë fëmijët e vet, kanë fëmijë të adoptuar.
Ardit Gjebrea: Sa kohë qëndrove në këtë shtëpi-familje le ta quajmë?
Danita: Unë qëndrova gati 2 vjet sepse për një vit, unë nuk kam dalë nga dera e shtëpisë së atyre sepse kisha frikë të dilja. Pastaj avash-avash kur pashë gjërat që nuk ndodhën më shumë atëherë fillova të dal pak. Ky përgjegjësi i kësaj shtëpie-familjeje më gjeti punë, që dhe sot jam unë aty.
Por nuk mbaron me kaq sepse pas dy vitesh, Danita njohu një tjetër person dhe filloi me të bashkëjetesën. Aty Danita kuptoi se ai ishte i dhënë pas pijes dhe fillloi të ushtronte dhunë çdo ditë ndaj saj. Nga dhuna e madhe, një ditë ajo përfundoi në spital, por aty kuptoi se ishte shtatzënë.
Ardit Gjebrea: Çfarë tha kur i the je shtatzënë?
Danita: Më tha nëse ti do të rrish me mua dua ta abortosh. Dëgjo i thashë, unë as që kam për ta abortuar dhe as që kam për ta braktisur vajzën. Sepse më erdhi në mend historia e mamasë time. Unë dua ta falenderoj mamanë time të vërtetë, që nuk më ka vrarë sepse më ka dhënë jetën, edhe unë ashtu bëra me vajzën.
Ardit Gjebrea: Ti nuk doje të përsëritej?
Danita: Gabimin që ka bërë mamja ime, unë nuk dua ta bëj me vajzën time.
Ardit Gjebrea: Ti vendose ta mbaje vajzën dhe u ndave prej tij?
Danita: Ai tha në rregull meqë vajza është më e rëndësishme për ty, unë po iki. Unë linda dhe vajza ime e ka emrin Sara.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç është?
Danita: 11 vjeç!/tvklan.al