Trejsi Sejdini humb kontaktet me të dashurin problematik, pas arratisjes së milionerit Miss-i…
Trejsi Sejdini ka konfirmuar disa herë me anë të rrjeteve sociale se ka qenë në një lidhje disavjeçare me Leonard Dukën e ndërsa pas skandalit të ndodhur disa muaj më parë me Policinë, historia e saj e dashurisë hyri në një fazë të komplikuar.
Së fundmi, gjatë një interviste në “RTV Ora”, Trejsi foli edhe për jetën e saj private. Ajo u shpreh se momentalisht është single, duke deklaruar kështu ndarjen nga i dashuri i saj, Leonard Duka, tashmë në kërkim nga Policia.
Pyetjes “Aktualisht, je single apo në një lidhje?”, ajo iu përgjigj: “Për momentin jam single. Kjo nuk do të thotë që tani duhet të më suleni të gjithë dhe të filloni me provokimet tuaja!”, tha ajo.
“Miss Universe Albania 2018”, Trejsi Sejdini, për shkak të historisë së saj me një prej kokave të bandave, është një emër i lakuar gjatë në median rozë.
“Unë si Trejs dhe çfarëdolloj personi tjetër, besoj se nuk mban përgjegjësi për veprimet e askujt, qofshin të hijshme, të pahijshme, të vërteta ose jo. Realisht, më vjen shumë turp që më është lakuar emri në situata të tilla. Gjithashtu, dua të theksoj faktin që nuk kam dashur të bëj nga këto gocat e ‘Instagram’-it, që nxjerr ‘Story’ dhe shaj mediat, nuk më ka pëlqyer kjo gjë. Trejsi është Miss Albania 2018. Mund të kërkoni emrin tim dhe mund të shikoni në wikipedia se çfarë sinonimesh kam unë si modele, domethënë sekssimbol, model, Miss Universe Albania, pafund. Trejsi nuk ka lidhje me asgjë që është e paligjshme. Nuk kam lidhje me asnjë person që ka lidhje me bandë”, u shpreh ajo ndër të tjera.
Por direkt pas kësaj deklarate publike, ndjekësit hodhën dyshimet e tyre nëse kjo mënyrë të shprehuri është një strategji e saj për “të pastruar figurën” pas shkrimeve të shumta, ku emri i saj si vajzë showbizz-i u përmend në kronikën rozë.
Ndërsa burime të afërta pranë saj kanë pohuar se ka qenë i dashuri, që ndërsa ndodhet në arrati, ka hequr dorë edhe nga Trejsi, duke u larguar pa gjurmë nga jeta e saj.
Kujtojmë që Trejsi Sejdini është një nga modelet shqiptare që e reklamon hapur jetën e saj luksoze. Pas vrasjes së ish-efektivit Santiago Malko, doli në pah edhe personi që fshihej pas të ardhurave marramendëse të modeles, i dashuri i saj.
Për ata që e njohin, e dinë se Leonard Duka vetëquhet te miqtë e tij si “Princi Damian”, një nofkë e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën që ka 37- vjeçari, duke qenë se zotëron disa biznese. Megjithëse u arrestua në prill të 2018-ës, ai ia doli t’ia hidhte paq nga drejtësia.
Kjo deklaratë e Trejsit vjen disa ditë pas statusit në “Instagram”, ku shprehej: “Ndihem si Toni Montana”, ndërkohë që ish-partneri i saj është në kërkim si kokë e grupit të kokainës “Duka” në Tiranë, i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani.
Pasi ra në pranga bashkë me tre persona të tjerë si kokë e grupit të kokainës “Duka”, mediat shkruan se i dashuri ishte liruar, gjë që nënkuptonte se Trejsi do t’i rikthehej jetës së lumtur me udhëtime dhe blerje super të shtrenjta që ai i bënte. Për të festuar daljen nga burgu të të dashurit, ajo realizoi disa foto të nxehta, ku mori shumë komente për veshjet intime që kishte zgjedhur e deri te linjat e kuruara.
Albumi i fotografive dhe videoja që postoi në “Instagram” mori menjëherë mijëra pëlqime dhe qindra komente, nga pozitivet e deri te kritiket. Lidhur me këto komente Miss Universe Albania vendosi që të mos reagonte, duke shijuar vetëm anën pozitive të tyre.
Të njëjtën gjë bëri edhe me komentet në lidhje me daljen nga burgu të të dashurit pas një operacioni të bujshëm, duke mos thënë asgjë për faktin që u komentua edhe ajo në shkrimet për këtë çështje.
Në dosjen e ardhur nga Gjermania, me kod “ZF/13-442 AL” dhe në 7 raportet e SHISH-it për vitin 2018, në skedën “Leonard Duka dhe Grupi”, u bashkëngjit edhe emri Trejsi Sejdini si e dashura e tij, pjesë përfituese e trafikut të drogës, faktuar kjo lidhje e të dyve edhe me një foto të publikuar në “Instagram” nga vetë “gangsterja e Elbasanit” ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt 2019.
Ndërkohë që ish-i dashuri i saj është ende në kërkim, Trejsi vazhdon ta shijojë jetën si më parë dhe postojë foto gjithmonë e më të nxehta, ku ngacmon me statuset provokuese si ai i tipit “Ndihem si Toni Montana”. Për të bërë një paralelizëm të deklaratës që Trejsi ka bërë me dorën e saj, po ju rikujtojmë historinë e Toni Montanës, e zhvilluar në vitin 1983.
Një emigrant kuban, i cili arrin të bëhet një zotërues i fuqishëm i drogës, ka arritur të jetë një nga filmat ikonë të viteve ’80. Është shumë e vështirë të gjesh dikë sot që nuk e ka parë këtë film apo të mos i ketë fiksuar batutat e tij të njohura.
E njohur për guximin e saj, duket se Trejsi e ka shkruar me vullnet të plotë statusin, ku e identifikon veten me zotëruesin e fuqishëm të drogës, Montanën. Në lidhje me luksin e saj, ajo së fundmi në “InstaStory” ka publikuar një foto, teksa shihej me një orë mjaft të shtrenjtë në dorë, e cila është e markës “Audemars Piguet”, që kushton $63,998.
Ndërsa në ‘story’-n tjetër, ajo postoi një video ku shihej me të dashurin e saj, ndërsa shkruante: “E dua BAE-n time”, duke pohuar kështu se ai është mbështetësi dhe siguruesi i të mirave materiale. Trejsi Sejdini, e cila u bë e njohur pas një videoje ku shfaqej duke rrahur një djalë, tërhoqi në fillimet e saj mjaft fansa në rrjetet sociale.
Vajza simpatike nga Elbasani, pas kësaj buje mori nofkën “gangsterja” e Elbasanit, edhe pse është vetëm 19 vjeçe dhe hyri në një garë bukurie, ku vajzat që marrin pjesë japin mesazhe paqeje. Në intervistat që ka dhënë më vonë është shprehur se tashmë ka ndryshuar dhe se dëshiron ta shohin si vajza e mirë dhe sensuale që tërheq vëmendjen me sensualitetin e saj, siç ka bërë me fotot e fundit.