HOQI DORË NGA FESTIVALI/ Besa Kokëdhima, ironi me ”Këngën Magjike”?
Pas tragjedisë së 26 nëntorit, Besa Kokëdhima vendosi të tërhiqej nga gara e “Këngës Magjike” sepse ndihej zemërthyer. Në Instagram, në një montazh të kujdesshëm të një xhami të thyer bashkëngjitur me portretin e saj, Besa shkroi se nuk mund të performojë për shkak të tragjedisë, pikëllimit dhe panikut. Producenti Ardit Gjebrea, si asnjëherë më parë, i kërkoi publikisht që të rikthehej, por Besa, të paktën publikisht, nuk reagoi dhe vazhdoi të bisedojë/komentojë me të tjerë ndjekës, ku theksonte vazhdimisht sesa zemërthyer ndihej.
Deri këtu, gjithë situata është e kuptueshme. Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme, ndaj Besa veproi siç e gjykoi dhe e ndjeu. Ajo vendosi të largohej nga gara për t’u përqëndruar më pas te ndihmesa e familjeve të prekura nga tërmeti, vepra të cilat nuk preferon t’i bëjë publike.
Nga ana tjetër, edhe arsyet e Ardit Gjebreas janë të kuptueshme, sepse kanë për qëllim një mision humanitar. Ndonëse në fillim Gjebrea planifikoi që të shtynte finalen e festivalit, në vijim vendosi që t’i kthejë netët finale në një mision për të ndihmuar një familje në Thumanë, shtëpia e të cilës u shkatërrua nga tërmeti.
Mirëpo ajo çfarë na çuditi pak ishte pëlqimi që Besa Kokëdhima i ka bërë së fundmi një postimi të faqes satirike, ku shkruhet se “Ardit Gjebrea po sensibilizohet me këngë e valle”. Postimi lidhet me puntatën e Të dielës Shqiptare, më 1 dhjetor.
Për hir të së vërtetës, “E diela shqiptare” kishte shumëçka, përveç këngë e valle. Për gati tre orë, në emision pati një mbulim të tragjedisë – me mjekë, ekspertë, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës etj. – ku në qendër qenë disa histori të familjeve në nevojë. Në emision nuk u realizua as “Shihemi në gjyq”, por vetëm këngët e “Këngës Magjike” në fund, që në një rast tjetër sigurisht që do të ishin shmangur, por ishte një proces i domosdoshëm për netët finale, të kthyera tashmë në mision.
Pra, është mëse e kuptueshme nëse Besa nuk preferoi të merrte pjesë në garën muzikore, qoftë edhe për një mision humanitar, por fakti që ajo, si ish-pjesëmarrëse në një festival ku të paktën fitoi një klip dhe afro gjysmë milioni klikime, mbështet ironinë e një faqeje që ndoshta mund ta teprojë për efekt të audiencës ose për shkak se nuk ka një informacion të bollshëm ndaj produksionit në tërësi, të bën të dyshosh në këtë rast se mos vendimi i saj është marrë për të tjera arsye.
Sigurisht që nuk duam të kalojmë kornizat e hamendësimit, por vlen të theksohet se sot, në një mënyrë a në një tjetrën, “gjuha” e Instagramit merret parasysh nga të gjithë. Duam apo s’duam ta pranojmë, gjithçka ndodh në Instagram. Shtojmë gjithashtu se të bën të dyshosh edhe fakti që Besa, e cila u largua për arsyen se nuk mund të këndonte dot kur ndërkohë me bashkëkombasit e saj kish’ ndodhur kaq shumë, ka dy ditë që “këndon” në Stories (poston momente gjatë prezantimit të ‘Histori’ te “Kënga Magjike”). Pra, po bën të njëjtën gjë siç do të bënte në festival.