Humbën jetën nënë e bijë, drama e jetës së 30-vjeçares: Do të jem këtu gjithmonë deri sa zemra ime prej nëne do të vazhdojë të rrahë

Nënë e bijë, 30-vjeçarja Diena Meçaj Karanxha dhe vajza e saj e mitur janë në mesin e viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin.

Diena Karanxha doli e gjallë nga rrënojat, por ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

Ndërkohë, në mëngjes 30-vjeçarja kishte humbur vajzën e saj 8-vjeçare.Vetë gruaja, u gjet nën rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës, pasi qendronte aty prej orësh.

Më herët policia kishte njoftuar se “pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale RENEA, bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por e reja nuk arriti t’ja dalë.

Ndërkohë, familja Karanxha ka pësuar nje tragjedi të madhe, duke qenë se pak kohë me parë Diena kishte humbur bashkëshortin, ndërsa sot humbi vajzën dhe jetën e saj.

Diena Karanxha, e cila kishte pasion pikturën ishte bashkëshortja e Dorian Karanxhës, djali i piktorit Ramadan Karanxha.

Në vitin 2015 Doriani ndërroi jetë pas një ataku kardiak. Në një postim në Facebook, Diena i ka dedikuar një poezi vajzës së saj pas vdekjes parakohe të të atit.
DC3E7932-2ED2-4441-B412-DA748C692534

Nuk do të kujtosh dot të qarat e tua, por unë po,

Nuk do të rikujtosh dot netët pa pushim, por unë po,

Nuk do të kujtosh dot lodhjen, por unë po,

Nuk do të mundesh të kujtosh, përse për çdo lot të derdhur, unë të kam përkëdhelur,

që për çdo dhimbje tënden, të kam puthur,

që për çdo frikë, unë kam prekur me buzët e mia syçkat e tua, dhe kam ledhatuar lëkurën tënde.

Nuk do të kujtohesh, për ditët që ke fjetur, dhe për ato që ke qarë,

Por për gjithë jetën, do ta dish shumë mirë, se krahët dhe përqafimi im, do të jenë për ty ngushëllim e dashuri!

Unë do të jem aty, për ty, ashtu siç kam qenë, që nga momenti kur ti fillove të ekzistoje,

do të jem këtu gjithmonë, për të të pritur, deri sa zemra ime prej nëne, do të vazhdojë të rrahë!”/abcnews.al