Adrola Dushi dhe Xhesika Berberi nisin fushatë për mbledhje fondesh: Le të veprojmë me zemër

Duke qenë se shumë familje në Durrës e Thumanë mbetën pa shtëpi pas tërmetit që goditi Shqipërinë, disa persona dhe organizata kanë nisur fushata për mbledhje fondesh. Këtë nismë e kanë ndërmarrë edhe dy modelet shqiptare, Adrola Dushi dhe Xhesika Berberi, të cilat për momentin jetojnë në Amerikë për shkak të punës së tyre. Ato kanë shpjeguar në anglisht të gjithë situatën dhe kanë treguar se të ardhurat e mbledhura do të përdoren për strehim, ushqime dhe çdo gjë tjetër për të cilën do të kenë nevojë banorët që janë prekur nga tërmeti. Dy modelet kanë vendosur si qëllim mbledhjen e 200 mijë dollarëve dhe deri më tani disa persona kanë ofruar ndihmën e tyre. Për të nxitur mbledhjen e fondeve, Adrola dhe Xhesika kanë dhënë edhe një mesazh. “Tërmeti që shkundi Shqipërinë, ka shkundur zemrën e çdo shqiptari… Të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka për të ndryshuar realitetin e trishtë të Shqipërisë sot. Le të veprojmë me zemër”, kanë shkruar modelet në llogaritë e tyre në rrjete sociale. Deri më tani 15 persona kanë humbur jetën nga tërmeti dhe shumë të tjerë ndodhen ende nën rrënoja.

E0466B66-E791-4124-BE9D-3271F98E3A50