“Heshtja vrasëse” e Rina Balajt pas tërheqjes nga muzika, fansat të revoltuar me menaxherin që i përvetësoi “Instagram”-in

Numëron miliona klikime në “YouTube” dhe në rrethana krejt misterioze, reperja nga Kosova, Rina Balaj, ka vendosur të heqë dorë nga muzika. Shenjat e para i dha pak kohë më parë, kur Rina u largua nga rrjetet sociale pa asnjë shpjegim. 

Ishte motra e saj, e cila shpjegoi se Rina do të shkëputet për pak kohë. Ndërkohë që menaxheri i “On Records”, Met Elshani, reagoi javë më parë duke deklaruar se raportet e tij me Rinën janë shumë të mira dhe se arsyeja pse ajo ka marrë pauzë është personale.

Mirëpo, para dy ditësh, një e papritur ka ndodhur me llogarinë në “Instagram” të Rinës, që është hapur sërish, por fotot e reperes janë fshirë dhe emri ka ndryshuar. Tanimë, llogaria që Rina kishte në “Instagram” mban emrin “Onrecordsofficial” dhe në të janë prezantuar dy artiste të reja, Sidoela dhe Eanda.

Rina-Balaj-2

Kjo nuk është pritur mirë nga fansat e Rinës, të cilët kanë shpërthyer në ofendime. Pas kësaj, menaxheri Met Elshani ka reaguar me një status, ku deklaron se Rina e ka lënë muzikën, deklaratë që i ka shokuar fansat e reperes. Met Elshani bëri gjithashtu të ditur se Rina është larguar edhe nga “On Records”.

“Po shoh shumë reagime nga fansat e Rinës, me këtë shkrim po ju njoftojmë se Rina me dëshirën e saj e ka lënë muzikën dhe se nuk është pjesë e ‘On Records’. Sa i përket ‘Instagram’-it, është pronë e ‘OnRecords’ me kontratë. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkruante Elshani. Rina Balaj është një ndër reperet më të komentuara, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut që në daljen e saj të parë.

Ajo depërtoi në tregun muzikor pas bashkëpunimit me reperin nga Kosova, Feron, me këngën “S’ka konkurrencë”. Edhe pse e re në moshë, vetëm 20 vjeçe, pasioni për muzikën e bëri atë ndër reperet më të pëlqyera. Me karakterin e një vajze të guximshme dhe plot stil, Rina ia ka dalë të duartrokitet dhe të ndiqet nga shumë fansa. Prej dy vitesh është pjesë e tregut muzikor dhe numëron disa këngë të suksesshme, që nga fillimet e karrierës.

Rina-Balaj-1

KUR RINA E QUANTE VETEN “MAMI” TË MUZIKËS REP DHE LUFTA E HAPUR ME TAYNA-N 

Në një nga intervistat e saj më të fundit që dha te “Rudina”, ajo u shpreh: “Nuk e kisha menduar asnjëherë veten si këngëtare apo si repere. Mendoja gjithnjë të bëja muzikë dhe sërish e lija për një moment të dytë, por pata fatin të provoja që jam këngëtare dhe kam shumë sukses. E nisa vetëm për qejfin tim, jo për famë.

Fillimisht kam nisur të bëj covera në “Instagram”, sepse ishte mënyra më e thjeshtë për t’iu treguar njerëzve që di të këndoj. Më pas kam marrë pjesë në “X Factor”, ajo ka qenë dalja ime e parë profesionale”, pohoi Rina. Rina ka krijuar identitetin e vet dhe madje e konsideron veten si ‘mami’ të muzikës rep. Ajo shpeshherë në tekste i bën edhe diss këngëtares Tayna, ndonëse e sqaroi se nuk ka asgjë personale me kolegen e saj. “Personalisht nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk kam pasur biseda me të, as para famës dhe as tani.

Këngën time të parë unë e kam publikuar në 2018-ën dhe atëherë nuk kam pasur askënd për t’i bërë diss, thjesht e kam kënduar. Nuk është qëllimi im të krijoj urrejtje, por thjesht të ndez atmosferën. Më pas filluan të më bëjnë diss-e, por unë nuk jam ndierë ashtu si më kanë përshkruar. Nuk ka asgjë mes nesh, janë thjesht portalet ato që e kanë krijuar këtë situatë. Nuk e kam qëllim të bëj reperet të urrejnë njëratjetrën. Tekstet tona janë thjesht rastësi”, pohoi Rina.

Rina-Balaj-3

FAMA E SHPEJTË E RINA BALAJT 

Po kush është Rina Balaj, që në 28 tetor festoi 20-vjetorin, vajza nga Peja që bëri famë të shpejtë në muzikën hip-hop? Këngëtarja Rina Balaj ishte pjesë e kompanisë që ka menaxhuar emra të njohur, “On Records”, dhe të gjithë e njohin si Rina. Në vitin 2015, Rina Balaj mori pjesë në “X Factor Albania 4”. Më datë 13 dhjetor 2017, ajo publikoi videoklipin “Janari”, në bashkëpunim me Endrin. Muzika e këngës u punua nga Zzap & Chriss, teksti u shkrua nga Fuego.

Në mars 2018, Rina publikoi videoklipin “Për Ty”. Më pas, videoklipin “Ska Konkurrencë”, në bashkëpunim me Feron. Prej këtij bashkëpunimi Rina mori famë akoma dhe më të madhe dhe u shfaq si nje hip-hop artiste. Klipet e saj të mëvonshme janë; “Ashiqare”, “Mami”, “Gigi”, “Fly”, në bashkëpunim me Fuego. Më datë 21 korrik 2019, Rina publikoi videoklipin “Ideal”, në bashkëpunim me Koston, një këngë nga Zzap and Chriss e që i dha me të vërtetë shumë famë dhe konsiderohet hiti i kësaj vere.

Sipas disa mediave të Kosovës, në tetor 2019 Rina largohet nga OnRecords pas disa mosmarrëveshjesh. Në shkrimin e tyre thuhet se kompania ia merr “Instagram”-in reperes dhe e përdor për të promovuar këngëtaret e reja në OnRecords, si Eanda dhe Sidoela. Në fakt, ky është vetëm një aludim, pasi të vërtetën e pastër mund ta rrëfejnë të dyja palët.