“Joni është arsye për të jetuar”, Arbana Osmani rrëfen sfidat dhe përballjen me vështirësitë përgjatë viteve
Arbana Osmani ka ndarë shumë përgjigje nga pyetjet e ndjekësve mbrëmjen e djeshme në Instagram. Përpos sqarimit lidhur me deklaratën e Iris Luarasit të shtunën që lamë pas, Arbana ka zbuluar shumë për veten.
Duke qenë se moderatorja ka preferuar të diskutojë për ‘Receta në 5 minuta’, më së shumti ajo ka sqaruar disa detaje lidhur me përmbajtjen e librit të gatimit. Ka rrëfyer se pjata e preferuar e Jonit është tiramisuja, ndërsa Eduarti nuk e di as vetë se cilën të veçojë.
Me humor ka treguar se e vetmja ndihmë që Xhemi i ka dhënë në gatim ka qenë që ka ngrënë çdo gjë që ka përgatitur Arbana, ashtu sikurse ka thënë që Joni bën naze në recetat me përmbajtje brokolin, spinaqin, kungullin, avokadon etj. “Si çdo fëmijë”, ka shtuar Arbana.
Por, jo të gjithë kanë qenë të interesuar për gatimin. “Si arrin të konkludosh në mënyrë pozitive çdo peripeci në jetë, duke i bërë të gjitha mirë?”, ka qenë një ndër pyetjet drejtuar moderatores. “Nuk ia dal në të gjitha, në ca lëndohem, në ca thyhem, e rëndësishme është që e pranoj dhe gjej forcë e çohem në këmbë prapë. Ka shumë arsye për ta jetuar jetën. Im bir është njëra prej tyre”, është shprehur Arbana, duke dhënë dhe një tjetër këshillë për pyetjen pasardhëse.
Për të gjithë ata që nuk kanë mundësinë të realizojnë dëshirat e tyre, moderatorja thotë: “Mos u dorëzoni kurrë! Kurrë!” Arbana ka rrëfyer se sa herë lëndohet, nuk ka ndonjë këshillë specifike drejtuar vetes: “Thjesht qaj derisa të më kalojë. Se gjithçka kalon, gjithmonë.”
Të shumtë kanë qenë dhe ata që kanë dashur të zbulojnë marrëdhënien e Arbanës me të ëmën, e kjo e fundit është përgjigjur me humor se kritika e mamasë për çdo dalje të sajën në ekran është gjatësia e fustaneve. /News31.al