Anaid Kaloti tregon historinë e tij: Pse e refuzova ADN-në për vajzën e ç’mund të rrëfej për nënën e saj

Fituesi i “Big Brother 6” e jeton aq fort jetën, sa njësoj si në filma koha e shpërblen me “dhuratën” më të paçmueshme, pikërisht një fëmijë. Aventurier në dukje, por filozof në mendime, për Anaid Kalotin jeta gjithmonë të bekon, edhe nëse pa dashur ke lënduar, apo ke lejuar të të lëndojnë. Tashmë në pozitat e babait të vajzës 3 vjeçe e gjysmë, Kleas, ekzistencën e së cilës e mësoi kur ajo mbushi 1 vjeçe, ai rrëfen dashurinë, përgjegjësinë dhe dhimbjen për të. I inspiruar nga ndjenja që e konsideron shokimin më të bukur të jetës, në këtë intervistë për “Panorama Plus”, Anaidi tregon historinë e tij të pazakontë dhe inspirimin nga e bija për të realizuar një projekt që u dedikohet vetëm fëmijëve.

Postimi i një fotoje, ku në rolin e babait prezantoje bijën tënde me fjalë që shprehnin dhimbje, dashuri e përgjegjësi, bëri përshtypje. Si ishte ta mësoje ekzistencën e saj pas një viti?

Ishte surprizë për mua dhe pak tronditje. Por që ishte shoku më i bukur i jetës kur u zgjova.

Kush është nëna e vajzës suaj?

Mami ka vendosur vetë të jetë anonimate e betuar e kësaj historie. Dhe nuk i pëlqen të komentohet asgjë në lidhje me të.

Si ndodhi që ta rrëfeu se ti tashmë ishe bërë baba dhe ajo ta mbajti sekret?

U ndjeva pak keq në fillim, por që duke iu rikthyer në mendime komunikimit tonë të fundit, mendova që i vetmi fajtor isha unë.

Anaid-2

Kërkove ta vërtetoje atësinë me testin e ADNsë, apo e besove direkt?

Ne dhe kur flemë e lëvizim njësoj këmbën natën në gjumë. Hiperaktivitet i frikshëm tek ajo, ashtu si tek unë. Analizat do të ishin ofendimi i inteligjencës nga të dyja palët.

U shprehe se është 3 vjeçe e gjysmë, por komunikon me të sikur të ishte 33. Mendon se komunikimi sikur të jetë e rritur është i duhuri babë e bijë?

Nuk ka fëmijë-fëmijë dhe të rritur-të rritur. Ka fëmijë të rritur dhe të rritur-fëmijë. Kam zgjedhur që në atë moshë do t’i flas si e rritur, sepse një ditë të gjithë i rikthehemi prapë fëmijës. Është e pashmangshme kjo, ndaj pjekuria dhe maturia duhen edukuar një herë tek vetja para se fëmija të lindë, pastaj duhen injektuar te fëmija që në momentin e parë që e merr në dorë. E them këtë për sa i përket komunikimit.

Takimin e parë me vajzën si e përjetove dhe si ështe marrëdhënia juaj tashmë në distancë?

Tri ditë, deri sa e mora në krahë dhe e ngrita në qiell. Takimi i parë ishte sa i magjishëm, po aq edhe i vështirë nga të dyja palët. Ishte një fotografi mendimesh që shihej njëjtë nga të dyja anët dhe që pasqyrohej sa çuditshëm, aq dhe mahnitshëm te të dy. Pastaj, çdo çudi u zhduk shumë shpejt dhe më e çuditshmja ishte që s’rrinim dot më kurrë pa njëri-tjetrin.

Po familja jote, si e priti këtë lajm?

E pritën si një familje normale qytetare. E pranuan si vajzën e tyre dhe ndoqën çdo hap sa herë ajo vrapoi në territorin ndërkombëtar te shtëpia ime te “Blloku i Ambasadave”.

Çfarë plani ke për jetën tënde më tej, është krijimi i familjes një synim?

Sigurisht që një ditë edhe unë do të krijoj familjen time, por që tani e kam pak më shumë të vështirë sepse nuk mendoj më vetëm për një familje. Kam familjen time, kam vajzën Klean, mamanë e saj dhe familjarët që tani e suportojnë në çdo gjë vajzën e tyre dhe e mbështesin në çdo hap që ajo po bën. Kam dhe këtë familjen në perspektivë që pyetët ju dhe që bëhen tri strehëza, të cilat duhet t’i ngrohë një zemër.

Çfarë këshille për t’u mbajtur mend gjithë jetën do t’i japësh vajzës në lidhje me djemtë?

Do t’i mësoj që për çdo këshillë apo pyetje, djali më i sinqertë në përgjigje do të mbetet gjithmonë babai yt. Këtë ia kam edukuar edhe vetes.

Nga eksperienca në “Big Brother”, te njohjet me vajzat pas famës, ke lënduar më shumë apo të kanë lënduar?

Nuk më vjen mirë të mendoj që kam lënduar, edhe pse kjo mund të ketë ndodhur. Por nga ana tjetër, edhe kam lejuar vajza të më lëndojnë. Jeta është një proces i gjatë, ku ti nuk mund ta shmangësh dot këtë. Por që duhet mësuar dhe në disa raste thuhet që të zgjuar janë ata që mësojnë pa u lënduar. Këto punë s’paskan as përkufizime. Njeriu jeton me njerëzit, mëson dhe pëson nga njerëzit, jeton me ta dhe vdes mes tyre…qoftë fizikisht, qoftë shpirtërisht. E qenësishme është që mendjen ta kesh në kokë e mos të të lërë që të mos duash veten, se zemra kur të lë, të lë njëherë e mirë.

Si i diplomuar për Gazetari, cili është formati apo puna që të shkon shumë për shtat?

Mendoj që më shumë radio.

Angazhimi yt aktual cili është, je duke punuar për ndonjë projekt?

Po, si një baba i ri dhe më sensibël ndaj fëmijëve, jam duke punuar për një projekt që është një platformë e vetme për të bërë bashkë prindërit, mësuesit, drejtuesit e institucioneve arsimore për komunikim efektiv dhe të menjëhershëm për çdo ecuri të fëmijës në shkollë. Mungesa, nota, detyra, provime do të jenë të aksesueshme në çdo çast në kohë reale. Për ta shqipëruar, çdo prind do të vihet në dijeni për nivelin arsimor të fëmijës së tij, pse jo dhe paraqitjes se tij psikologjike në socialitet. Projektin pilot kemi filluar ta eksperimentojmë në një shkollë private në Gjermani dhe deri tani, si prindërit edhe mësuesit janë të kënaqur me ecurinë e tij. Nga ana tjetër, meqë çdo mësues ka një kod dhe çdo orë mësimi mbetet e regjistruar, shteti pa pasur nevojën e kontrollit nëpër shkolla, nga Tirana mund të kuptojë a është zhvilluar apo jo një orë mësimi në Himarë apo Valbonë. Kjo rrit si nivelin e arsimimit, ashtu edhe përllogaritjen matematike të mesatares për çdo klasë, shkollë, qytet në gjithë Shqipërinë. /PANORAMAPLUS.AL