Rrëfehet Hygerta SAKO: Palestra, profesioni dhe… Lorik CANA
Hygerta Sako është një nga moderatoret sportive më të njohura në vend. Prej vitesh pjesë e emisionit “Rubrika Sportive”, ndërsa sot ka zbuluar disa të pathëna për emisionin “Wake Up” në Top-Channel. Ka folur për jetën e saj private, karrierën dhe sigurisht edhe futbollin. Tregon “fiksimin” e saj në Kombëtare, por edhe zbulon se nuk do të heqë asnjëherë dorë nga profesioni i saj.
Dikur shkëlqente në pasarelë duke qenë Mis Shqipërie e për këtë ajo s’e lë pas dore asnjëherë kujdesin për fizikun e saj. “Shkoj çdo ditë nga e hëna nga të premte në palestër. Të shtunën dhe të dielën e lë pushim. Të dielën nuk shkoj, pasi kam edhe emisionin. Të shtunën ia kushtoj vetes. Në palestër shkoj bashkë me vajzën”.
Është mjaft e lidhur me futbollin dhe profesionin që ushtron e për këtë thotë: “Unë kam parë futboll që e vogël dhe kemi qenë si familje të gjithë të apasionuar me futbollin. Jam rritur me atë frymë. Ishte e natyrshme të dalësh në këtë profesion. Ndaj ndihem shumë e qetë.
Ndërrimi i profesionit? Jo, unë nuk kam (qesh). Televizioni ka qenë ëndrra ime e fëmijërisë. Që në momentin e parë në TV dhe deri më sot, unë kam qenë e lumtur dhe e kam shijuar në maksimum”.
Si një tifoze e devotshme e futbollit, s’mund të mungojnë as fanelat sportive në shtëpi. “Kam të Skënderbeut, të Partizanit, të Kombëtares”, shton më tej ajo.
Në fund ndalet te lideri, njeriu që me sa duket s’do jetë më kurrë një si ai në kombëtare. “Për mua një figurë qëndrore e kombëtares ishte kapiteni Lorik Cana, për vet frymën që kishte dhe atë që jepte në fushë. Deri tani ai nuk është zëvendësuar dhe këtë e them hapur. Ende nuk kemi një lider në kombëtare. Si talent Strakosha më duket lojtar shumë i mirë”, ka përfunduar ajo.