Kapet i “forti” i Tiranës/ Kush është i arrestuari Elvis Gaçaj, i shpëtoi disa atentateve
Arrestohet ne Durres Elvis Gaçaj, i cilësuar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, por edhe emer shume i njohur per policine.
Gazetari i Panorama raporton se ai ka tentuar t’i shpetoje aksionit te policise dhe i ka ikur postbllokut, por me pas eshte kapur.
Pas kontrollit të ushtruar, uniformat blu i kanë gjetur Gaçajt një armë zjarri të llojit pistoletë, të cilën e mbante pa leje.
44-vjeçari Elvis Gaçaj, konsiderohej me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar disa herë më parë, në shumë raste objekt hetimi, por edhe objektiv atentatesh me armë e eksploziv.
Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari i tij gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar para disa vitesh. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundoi sërish në pranga.
Më 30 shtator të vitit 2008, Policia e Tiranës njoftonte se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kishin arrestuar shtetasin Elvis Shpëtim Gaçaj, në atë kohë 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje. Sipas Policisë, Gaçaj ishte arrestuar si autor i dyshuar për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M., ngjarje kjo e ndodhur më datë 26 korrik 2008.
ATENTATET
Herën e fundit kur Elvis Gaçaj i shpëtoi një atentati të organizuar ndaj tij, por jo burgut, ndodhi më 1 tetor të vitit 2015, pranë lulishtes “1 Maji” në Tiranë. Ai mbeti i plagosur, ndërsa u vranë dy miqtë e tij, një vajzë e një djalë.
Por për Elvis Gaçajn, ky atentat nuk është i pari. Në dy vjet ai u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, por ndryshe nga ai 1 tetorit 2015, sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Në të parin u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi shpërthimi i lëndës plasëse nuk u realizua. Ndërsa mbrëmjen e 1 tetorit të 4 viteve më parë, autorët e provuan me armë zjarri. Madje me dy të tilla, një automatik e një pistoletë.
Por edhe këtë radhë dështuan. Plumbat e nisur për Gaçajn i morën jetën të dashurës së tij dhe 22-vjeçarit që punonte për të. Ai vetë shpëtoi me dy plagë të lehta në shpatull e në dorë, ndonëse autorët i shkrepin armët plot 29 herë. Në makinën tip “BMW”, ku ndodheshin 4 persona, shoqja e viktimës Aurora Oksian, Eda, shpëtoi pa asnjë gërvishtje.
I dashuri i saj Elvis Gaçaj, që ishte në timon, u plagos me dy plumba. Pasagjeri që ndodhej në sediljen pas saj, Kevin Rugova, u vra nga dy plumba tejshkues që më parë kishin goditur 29-vjeçaren. Ndërsa vetë Aurora u gjet e sharruar në plumba kallashnikovi. Tetë predha në trup e dy të tjera që kishin kaluar tejpërtej kokës.
Vrasja e ish-policit Malko
Tre nga tetë personat që u shpallën në kërkim me vendim Gjykate për vrasjen e ish-policit Santjago Malko, ishin arrestuar edhe në muajin prill nga Policia e Tiranës, pas dyshimeve se po përgatisnin një vrasje.
Konkretisht, më 8 prill të këtij viti, Policia njoftoi se ishte goditur një grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Në operacionin e afro 6 muajve më parë, morën pjesë forcat e Antidrogës, por edhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës, të cilët arritën të arrestonin 4 persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal, njëri i konsideruar si drejtuesi.
Të arrestuarit e këtij operacioni ishin Leonard Duka, që dyshohej të ishte drejtuesi i grupit, si dhe dy personat, që po ashtu janë shpallur në kërkim bashkë me të për vrasjen e Santjago Malkos, Oltian Loga dhe Dritan Agaj.
Në atë kohë u arrestua edhe 44-vjeçari Elvis Gaçaj, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, por për të cilin nuk ka prova të jetë i përfshirë në ngjarjen e fundit. Burimet thanë se këta persona po mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh nga oficerët e Antidrogës, por Policia është detyruar të ndërhyjë para përfundimit të hetimeve, pas një informacioni që kanë marrë nga qytetarët.
Sipas grupit hetimor, përshpejtimi i këtij operacioni është bërë me qëllim parandalimin e një vrasjeje të mundshme që dyshohej se po planifikohej nga anëtarët e grupit. Por se për çfarë vrasjeje bëhej fjalë nuk u mor vesh asnjëherë. Megjithëse nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë edhe ngjarja që ata dyshohet se kanë realizuar në muajin gusht, pra, ekzekutimi i Santjago Malkos.
Gjatë aksionit, Policia sekuestroi armë, municion, drogë dhe një makinë e blinduar. Madje, edhe një ditë pas operacionit, Policia vazhdoi kontrollet në zonën ku ata qëndronin, duke gjetur edhe një tjetër pistoletë. Megjithatë, pak kohë më vonë, të gjithë personat e arrestuar u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit, në rrethana ende të paqarta.
POLICIA
Policia e Tiranës, më 8 prill të këtij viti, tha zyrtarisht se bashkëpunimi me qytetarët për të luftuar krimin, solli arrestimin e 4 shtetasve, të dyshuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Ndërsa u bë e mundur sekuestrimi i një mjeti të blinduar, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e dyshuar lënde narkotike.
“Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Policinë e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për disa persona që dispononin armë e drogë, arrestoi në flagrancë shtetasit: L. D., 33 vjeç, banues në Tiranë; D. A., 38 vjeç, banues në Tiranë; O. L., 38 vjeç, banues në Tiranë; E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë”, tha zyrtarisht Policia.
Ndërsa shtoi se është ushtruar kontroll në banesën me qira ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundërligjshme.
“Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundërligjshme, duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: një mjet të blinduar; një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë; 46 fishekë luftarakë, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes të personave të tjerë”, tha zyrtarisht Policia.
PANORAMA