Video/ Pamjet e tmerrit, si ndodhi plagosja e trefishtë në Kinostudio. Santiago Malko dyshohet se shtiu mbi vëllezërit Mumajesi
Santiago Malko, i ekzekutuar në datën 27 gusht në atentatin në rrugën “Xhanfize Keko” dyshohet se është njëri prej dy atentatorëve të plagosjes së trefishtë të ndodhur në Kinostudio, ngjarje e mbetur e pazbardhur edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit.
Fax News ka siguruar një video të ngjarjes së ndodhur në 27 Qershor të 2018-tës, në të cilën mbetën të plagosur tre persona, vëllezërit Rivelino dhe Juxhin Mumajesi 36 dhe 24 vjeç dhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç.
Lidhur me ngjarjen ka patur vetëm një të arrestuar, 29-vjeçari Ervis Bano, i cili u vu në prangat e policisë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Që nga ajo kohë, askush nuk është vënë para përgjegjësisë për plagosjen, ndërsa siç duket edhe policia nuk ka patur prova të mjaftueshme për të bërë identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes.
Në videon e siguruar nga Fax News, duken të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, tre të plagosurit dhe dy atentatorë, të cilët në një largësi minimale shtënë në drejtim të dy vëllezërve Mumajesi dhe Ibrahim Durollarin, në afërsi të një pike bastesh.
Në pamje duket i pari që bie përtokë, Ibrahim Durollari, i plagosur në barkë, dhe dy vëllezërit Juxhin dhe Rivelino Mumajesi, të plagosur në këmbë.
Përmes këtyre pamjeve duken atentatorët, të cilët me armë në dorë shtënë në drejtim të tre personave. Dyshohet se atentator në këtë ngjarje ka qenë Santiago Malko,
Në atë kohë, policia ka shoqëruar një numër të madh personash, ndërsa në pranga mbeti vetëm Ervis Bano, i cili u dyshua se fshihu materialet video të kamerave të sigurisë së lokalit.
Faxnews-Faxweb.al