Ekzekutohet në katin e dytë të lokalit biznesmeni në Lushnje, daja i Zamir Latifit (Detajet)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në Lushnje, ku një 35-vjeçar është vrarë në brendësi të një lokali në qytet. Burime bëjnë me dije se viktima është Besmir Hida, i cili është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi.

Mësohet se viktima ka qenë në katin e dytë të një lokali në momentin kur është qëlluar me breshëri në lagjen ”Gafurr Muço”.

Dëshmitarët tregojnë se autori është larguar në drejtim të rrugicave në qytetin e Lushnjes, ndërsa Hida është një prej tregtarëve më të mëdhenj të makinave të përdorura në këtë qytet.

Mësohet se autori ka qenë i maskuar, ndërsa mbetet e paqartë nëse viktima është qëlluar në afërsi, apo që në katin e poshtëm të lokalit.

Po ashtu dyshimet janë se në atentat kanë marrë pjesë disa persona, të cilët kanë ndihmuar autorin që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Burime bëjnë me dije për Fax News se Hida është daja i Zamir Latifit, i cili u ekzekutua rreth dy vite më parë në qendër të Lushnjes.

Kujtojmë se Zamit Latifi dhe Jurgen Hoxha u ekzekutuan në qendër të Lushnjes në 11 tetor të vitit të vitit 2017, ndërsa autorët janë Laert Haxhia dhe Orges Bilbili. Objektiv i këtij atentati ishte Xhulio Shkurti, që në atë moment nuk ndodhej në vendin e ngjarjes, i njohur ndryshe dhe si nipi i Aldo Bares.

Njoftimi i policisë për ngjarjen: 

Sot rreth orës 08:15, në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit B.H, 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje-dalje të qytetit , në aksin rrugor Lushnjë Tiranë, Lushnjë Fier dhe Lushnjë Berat.

Për zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë.

Një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur për t’i ardhur në ndihmë grupit hetimor me qëllim zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes.

(E.K/Faxweb.al)