Bebe Rexha hap debatin e vajzave të muzikës: Jam 29 vjeç dhe më konsiderojnë të plakur!
Fotos ku shfaqet me të brendshme, Bebe Rexha i ka bashkëngjitur edhe një reagim që ka hapur sërish debat për paragjykimin e grave dhe vajzave në industrinë e muzikës. Këngëtarja me origjinë shqiptare tregon se si një burrë i botës së muzikës në SHBA e ka konsideruar të plakur për shkak se po i afrohet të 30-ave dhe e ka kritikuar për fotot provokuese që publikon në rrjetet sociale. “Së fundmi një burrë, përfaqësues në muzikë, më tha se po plakesha dhe se stili im është “konfuz”. Sepse… unë jam kantautore që publikoj foto seksi në Instagram dhe kjo nuk është ajo se çfarë duhet të bëjnë kantautoret, sidomos ato në moshën time. Jam 29 vjeç”, shkruan Bebe.
Por këngëtarja thekson se është “e ngopur me të qenit brenda një kutie”. Bebe vë gjithashtu në dukje faktin se gratë dhe meshkujt nuk trajtohen njësoj me kalimin e moshës, por ajo ka vendosur që të mos bëjë asnjë përpjekje për t’u dukur më e re, pasi është e kënaqur me vitet që ka. “Unë i bëj vetë rregullat. Jam e lodhur me faktin që gratë etiketohen si plaka kur rriten në moshë dhe djemtë etiketohen si seksi me kalimin e moshës. Gjithsesi, unë do të bëj 30 vjeç në 30 gusht dhe e dini çfarë, nuk do t’i largohem kësaj. Nuk do të gënjej për moshën apo të këndoj këngë që mendoj se do të shesin më shumë sepse ngjasojnë “më të reja”. Do ta festoj moshën time sepse jam më e mençur, më e fortë dhe më besoni, jam më e dashur se 10 vite më parë”, shkruan këngëtarja fituese e shumë çmimeve në muzikë. Reagimi i Bebe Rexhës është mbështetur nga shumë këngëtare të tjera, me ndikim në muzikën ndërkombëtare. “Tërhiqi zvarrë ata! 29 vjeçaret bashkohen”, i shkruan Taylor Swift, gjithashtu 29 vjeçare.
Mbështetje për Beben ka ardhur edhe nga bashkëkombësja e saj, Rita Ora, e cila i shkruan: “Kantautorja ime seksi. Ti je e bukur, po bëhesh më seksi dhe talenti yt ‘këndon vetë’. Vazhdo bëji ato rregulla.” Ashtu siç ndodhi në fillim të 2019-ës, kur deklaroi se asnjë stilist nuk pranonte ta vishte për çmimet ‘Grammy’ pasi e konsideronin shumë të shëndoshë, edhe ky reagim i fundit i Bebe Rexhës është raportuar nga mediat më të rëndësishme amerikane dhe ndërkombëtare, si Fox News, Usa Today, People, Billboard, Daily Mail, Metro, etj./Top Channel