Haradinaj kthehet nga Haga, ja mesazhi i parë sapo zbret nga avioni

Pas qëndrimit dy ditor në Hagë, kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë pak para mesnatës është kthyer nga Haga.

Ai ka ndare me miqte ne Facebook momentet e kthimit dhe ka dhene nje mesazh te forte sapo ka zbritur ne Prishtine.

“Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe zërat se pas dorëheqjes së tij nuk mund ta ushtroj postin e kryeministrit.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës” ka shkruar Haradinaj, derisa ka thënë se çdo kush që mendon që posti nuk duhet mbajtur duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën e kaluar pas ftesës për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

MESAZHI 

Të dashur qytetarë,

Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë.

Të dashur qytetarë,

Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj.

Na priftë e mbara!

RH